Puçi kushtetues i Kushtetueses
Klodian Tomorri
Kjo që po bëjnë këta gjyqtarët për punën e rrogave është palaçollëk i padëgjuar ndonjëherë në histori.
Çohet Gjykata Kushtetuese dhe cakton rroga me vendim gjykate. Ku e kanë lexuar në Kushtetutë gardianët e Kushtetutës që rrogat caktohen me vendime gjykatash?
Kushtetuta ka vetëm një fjali që lidh gjykatën me rrogën: “Paga e magjistratit nuk mund të ulet”. Kaq. Vetëm nëse qeveria ul rrogën e magjistratit, ndërhyn gjykata dhe thotë: kjo është antikushtetuese. Kaq.
Por këta, mirë që nxjerrin vendim paçavure, totalisht antikushtetues, ku caktojnë rrogat e shtetit, por edhe e bëjnë fakt të kryer. Shkojnë, i çojnë Thesarit për ekzekutim borderotë me rrogat e reja.
Por nuk mbaron këtu. Pasi Ministria e Financave i bllokoi në minutën e fundit, lëshuan prokurorët të kërcënojnë punonjësit e Thesarit.
Turp dhe faqja e zezë. Kërcënojnë specialistët e Thesarit: do t’ju fusim në burg. Gratë e Thesarit. Këta janë gjyqtarë dhe prokurorë apo janë banditë?
Pastaj kallëzojnë penalisht ministrin e Financave? Për çfarë?
Tani shikoni çfarë kanë bërë këta. Kanë rritur rrogat e tyre, por puna është se vendimi i tyre shkon në kaskadë.
Rroga e kryetarit të gjykatës është e lidhur me rrogën e Avokatit të Popullit, rrogën e drejtorit të Komisionit të Prokurimeve Publike, kryetarit të KLSH-së e kështu me radhë, të të gjitha institucioneve kushtetuese.
Rrogat e titullarëve të këtyre institucioneve janë të lidhura me rrogat e punonjësve të tyre.
Pra, Gjykata Kushtetuese ka rritur rrogat e gjyqtarëve, prokurorëve, OPGJ-ve, këshilltarëve të gjykatave, Avokatit të Popullit, komisionerëve të Avokatit të Popullit, kryetarit të KLP-së, punonjësve të KLP-së, KLSH-së e kështu me radhë.
Do të marrë lloj-lloj sorollopi, komisioneri dhe këshilltari rroga me vendim gjykate. 45 milionë euro shtesë në vit kosto për qytetarët. Mirë kaq, por i duan që nga viti 2023 edhe 140 milionë euro të tjera shtesë. Ej, si spital psikiatrik.
Praktikisht, Gjykata Kushtetuese ka caktuar rrogat e gjysmës së punonjësve publikë dhe u thotë qytetarëve: tani paguajini paratë.
Pagat caktohen me ligj. Ky është atribut i mazhorancës qeverisëse. Çdo gjë tjetër përtej kësaj është puç kushtetues. Vetëm se këtë herë puçisti është vetë gjyqësori. Turp.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



