Punësimi i Muçi Shaljanit, Gjykata e Tiranës nxjerr bllof AMP-në
Gjykata Penale e Tiranës ka hedhur poshtë pretendimet e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), duke cilësuar si të paligjshëm arrestimin e dy efektivëve të Komisariatit Nr. 3, Bruno Cara dhe Arshim Zajmi.
Në seancën e zhvilluar, trupa gjykuese vendosi të mos caktojë asnjë masë sigurimi ndaj tyre, pavarësisht kërkesës së Prokurorisë, e cila kishte propozuar “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes nga vendi”.
Dy efektivët ishin proceduar nga AMP me akuzën se kishin firmosur një vërtetim që i mundësonte Muçi Shaljanit të paraqitej në punë. Sipas Agjencisë, dokumenti përbënte shkelje, por gjykata konstatoi se nuk kishte asnjë bazë ligjore që të justifikonte arrestimin e tyre, duke e rrëzuar kështu të gjithë kërkesën e strukturës së mbikëqyrjes.
Çështja lidhet drejtpërdrejt me atentatin e rëndë të ndodhur në Rinas, ku Muçi Shaljani dhe Gilmando Dani u qëlluan teksa udhëtonin drejt Tiranës. Dani humbi jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa Shaljani, i cili mbeti i plagosur rëndë, ndërroi jetë këtë të diel në spital pas disa ditësh në gjendje kritike.
Vendimi i gjykatës pritet të hapë debat lidhur me veprimet e AMP-së dhe mënyrën se si janë trajtuar procedurat ndaj efektivëve të policisë, në një situatë të ngarkuar edhe nga ngjarja e rëndë që i parapriu hetimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



