Punësoi Muçi Shaljanin, merret i pandehur ish-drejtori i AMP-së
Ish-drejtori i komanduar i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Artion Saliasi, është marrë i pandehur për veprën penale “shpërdorim detyre”, në kuadër të hetimeve për një rekrutim të dyshuar në kundërshtim me ligjin brenda këtij institucioni.
Bëhet fjalë për përfshirjen në strukturat e AMP-së të Muçi Shaljani, i njohur ndryshe si “Sheqeri”, i cili u vra më 11 nëntor së bashku me Gilmando Dani, pas daljes nga Aeroporti i Rinasit.
Hetimet janë zhvilluar nga Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me AMP-në, duke ngritur dyshime se rekrutimi i Shaljanit është bërë në shkelje të procedurave ligjore.
Ndërkohë, në të njëjtën çështje, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse në AMP, Gëzim Sala, është rikthyer në detyrë, pasi Gjykata e Apelit vendosi t’i heqë masën e pezullimit rreth një muaj më parë. Megjithatë, edhe ai vijon të jetë nën hetim dhe është marrë i pandehur për “shpërdorim detyre”.
Rasti ka rikthyer vëmendjen mbi mënyrën e funksionimit të institucioneve të sigurisë dhe procedurat e rekrutimit, duke ngritur pikëpyetje mbi kontrollin dhe transparencën në struktura të ndjeshme si AMP.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



