Të pushosh në MIAMAR dhe në kthim bli vaj te Musai Olive Oil në Panaja
Deformacion Profesional 2020
Ky vit ka qenë një mënxyrë e pa imagjinueshme për çdo njeri që e do lirinë më shumë së çdo gjë tjetër në ekzistencën e vet tokësore. Lirinë për të jetuar, për të lëvizur, për të zgjedhur. Për të tjerët, të cilët nuk e kanë për gjë të të thonë: fute lirinë në bythë, ky vit ndoshta ka qenë pak ndryshe nga normalja, por asgjë më shumë.
Për këtë temën e lirisë së mbledhur lëmsh nga qeveritë kam shkruar që në Mars të këtij viti e do vazhdoj të shkruaj.
Por sot dua të veçoj dy gjëra pozitive të ndodhura më parë në Shqipëri, të para me syrin e ekonomistit, të cilat i njoha në mes të këtij viti të vjedhur.
Turizmi
***
Kisha vite që nuk kam qenë i shtrënguar të pushoj në Shqipëri. Kam një parim që nuk paguaj për dëtin, paguaj për shërbimin! Këtë verë durova, durova dhe në fund nuk kisha ç’të bëja. Qeni qepën ta hajë s’kam ç’bëj. Më priste surpriza pas dere. Vetëm idioti nuk ndërron mendim. Kam qëndruar 3 ditë në një hotel bregdetar, një strukturë turistike që për mendimin tim është një nga bizhutë e bregdetit tonë e që nuk bie poshtë asnjë prej hoteleve butik në brigjet e Mesdheut – Itali, Francë, Spanjë, Greqi etj. Shërbimi i hotelit superb, duke filluar me recepsionin, dhomat, kuzhinieri, kamarierët, mëngjesin, restorantin, menuja plot me delikatesa, dhe vijuar me infrastrukturën e hotelit, por jo atë përreth tij, më ka dhënë një kënaqësi si kurrë më parë në plazhet e Shqipërisë. 4 yje solide krahasuar me botën e zhvilluar, 10 yje e përtej krahasura me çfarë ofrohet tjetërkund në Shqipëri! Kthehem me dëshirë. Sfidë mbajtja e të njëjtit standart në të ardhmen! Shembull se si duhet të zhvillohet turizmi në këtë vend. Ky Hotel është Miamar #MiamarLivadh
Bujqësia
***
Për herë të parë në shumë vjet na mbaroi skorta e vajit të ullirit. Helbete nuk zbisnim dot në Greqi ta blinim. Në një restorant në Vlorë na kish bërë përshtypje një vaj ulliri me aromë, me shije, me viskozitet, me pamje, me të gjitha. Filluam të gërrmonim me telefona më të mëngjër, e më të djathtë dhe e gjetëm ku prodhohej. Telefon të zotit, ju pres na tha. Shkuam në fabrikë, takuam pronarin. Të njoh më tha, të dëgjoj ndonjëherë. Pamë me sytë tanë se ç’bëhej në oborr me ullinjtë që vinin nga e tërë zona aty pranë, por edhe nga më larg. Pronari na shpjegoi gjithë ciklin, e na tregoi fabrikën lart e poshtë. Pastërti absolute, pajisje dhe teknologji moderne. Biseduam me të dhe zonjën e tij, e cila i mbante financat. Prodhimi kryesisht për eksport në 3 kontinente, por edhe në restorante e disa supermerkato. U ofronte prodhimin e vajit edhe njerëzve që kishin ullishte. E lavdërova me gëzim në shpirt. Më ka lavdëruar edhe Kryeministri, më tha. Mirë ka bërë i thashë. Mënjanë mendova se ky është pikërisht problemi që kemi. Nuk është se Kryeministri nuk e di se çfarë është e mira, problemi është se ai e di … Ata kishin 15 vjet që e kishin ngritur çika çika këtë bizhu të agroindustrisë. Për mua ishte si të prekja me dorë një ëndërr. Jo për gjë po kalimi nga bujqësia tek agroindustria është shenja e parë e kalimit nga rendi feudal në atë kapitalist, që në botë ka ndodhur përpara 300 vjetësh, ndërsa ne jemi ende në fillime. Vaji i shkëlqyer, shembulli i zhvillimit të bujqësisë, sfidën e ka me veten të ruajë cilësinë e produktit të vet dhe emrin që ka vënë në treg! Ky biznes eshte Musai Olive Oil në Panaja të Vlorës #MusaiOliveoil
Gëzuar, respekte dhe përulje njerëzve që punojnë!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



