E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Qefalia debuton me Kombëtaren: Ndjenjë e papërshkrueshme
Lajme

Qefalia debuton me Kombëtaren: Ndjenjë e papërshkrueshme

Ndeshja e Shqipërisë ndaj San Marinos nuk solli vetëm një tjetër fitore për kuqezinjtë, por edhe disa debutime me fanellën e Kombëtares. Mes futbollistëve që morën për herë të parë minuta me ekipin A ishte edhe Klevi Qefalia.

Futbollisti i Dinamos fitoi besimin e trajnerit Rolando Maran dhe u aktivizua në sfidën e së martës, duke përjetuar një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij.

Pas ndeshjes, Qefalia nuk e fshehu emocionin për debutimin dhe falënderoi stafin teknik dhe shokët e skuadrës për mbështetjen që i kanë dhënë që prej grumbullimit të parë.

“Është një ndjenjë e papërshkrueshme për mua. Është diçka shumë e bukur të debutosh me Kombëtaren dhe jam shumë i lumtur për këtë moment. Dua të falënderoj të gjithë stafin që më dha besimin për të luajtur në këtë ndeshje dhe shpresoj të kem bërë më të mirën.

Dëshira për të debutuar ka qenë sigurisht shumë e madhe. Vendimet i merr trajneri, por jam shumë i lumtur që pata mundësinë të debutoj. Dua të falënderoj edhe djemtë për mbështetjen që më kanë dhënë që nga dita e parë”, u shpreh Qefalia.

Futbollisti i Dinamos foli edhe për sfidën ndaj San Marinos, duke e cilësuar një përballje më të vështirë nga sa mund të ishte parashikuar, veçanërisht për shkak të kushteve të fushës.

Megjithatë, Qefalia vlerësoi faktin që Shqipëria arriti të marrë tri pikët dhe tashmë e gjithë vëmendja është kthyer te përballja e radhës ndaj Finlandës.

“Ishte një ndeshje e vështirë, sepse nuk ka më ndeshje të lehta. Edhe fusha na e bëri pak më të vështirë. Por më e rëndësishmja është që morëm tri pikët dhe rezultati është në favorin tonë.

Tani do të vijojmë përgatitjet për ndeshjen me Finlandën. Është një sfidë e vështirë dhe në një fushë të vështirë. Do të japim maksimumin për të bërë më të mirën dhe për të vazhduar rrugën që kemi nisur drejt objektivit për vendin e parë”, deklaroi Qefalia.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.