Qeveria gjunjëzohet përballë bllokimit në aksin Librazhd-Prrenjas
Qarkullimi në aksin rrugor Librazhd–Prrenjas vijon të mbetet i ndërprerë pas rrëshqitjes së madhe të dheut që e ka bërë segmentin të pakalueshëm, ndërsa institucionet shtetërore nuk kanë ende një afat të qartë për rikthimin e lëvizjes normale në këtë rrugë të rëndësishme.
Në një dalje për mediat, drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, deklaroi se rihapja e plotë e rrugës do të bëhet vetëm pasi të garantohet stabiliteti afatgjatë i terrenit dhe siguria e infrastrukturës.
Sipas tij, bëhet fjalë për një segment me rëndësi strategjike për qarkullimin në vend dhe çdo ndërhyrje duhet të sigurojë që problemi të mos përsëritet në të ardhmen.
“Ky është një aks me rëndësi strategjike dhe rikthimi i tij në funksion të plotë do të bëhet vetëm pasi të kemi garantuar stabilitet afatgjatë të terrenit dhe të infrastrukturës”, u shpreh Kozeli, duke mos dhënë një datë konkrete për hapjen e rrugës.
Gjatë deklaratës, kreu i ARRSH-së reagoi edhe ndaj pretendimeve për ndërhyrje në shtratin e Lumi Shkumbin, duke theksuar se kompania që po zbaton punimet, ANK, nuk ka kryer shkelje.
Sipas tij, zona është verifikuar edhe nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, dhe nuk janë konstatuar shkelje në lidhje me marrjen e materialeve inerte.
Megjithatë, pamje të publikuara së fundmi nga terreni sugjerojnë ndërhyrje në basenin lumor, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin që mund të kenë pasur punimet në situatën e krijuar.
Prej disa ditësh, bllokimi i këtij aksi ka vështirësuar ndjeshëm lëvizjen drejt juglindjes së vendit dhe ka krijuar probleme për qarkullimin e qytetarëve dhe transportin në zonë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



