Më në fund hapet qarkullimi për mjetet në Librazhd-Prrenjas
Qarkullimi i automjeteve në zonën e Dragostunjës është rikthyer zyrtarisht në normalitet në orën 11:38, pas përfundimit të ndërhyrjeve që bënë të mundur hapjen e segmentit të dëmtuar. Bllokimi i përkohshëm kishte krijuar radhë të gjata dhe vështirësi për qindra drejtues mjetesh që përdorin këtë aks çdo ditë.
Segmenti i prekur, pjesë e rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, u bë i pakalueshëm për shkak të dëmtimeve të konstatuara në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”. Strukturat përgjegjëse ndërhynë menjëherë në terren për stabilizimin e situatës dhe sigurimin e kushteve të nevojshme për lëvizje të sigurt.
Pas verifikimeve teknike dhe garantimit të parametrave të sigurisë, u dha drita jeshile për rifillimin e qarkullimit. Rihapja e këtij segmenti konsiderohet thelbësore, pasi bëhet fjalë për një nga arteriet kryesore që lidh kryeqytetin me juglindjen e vendit, si dhe shërben si korridor i rëndësishëm për transportin e mallrave dhe lëvizjen drejt pikave kufitare.
Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e përshëndeti rihapjen e qarkullimit në aksin rrugor Librazhd–Përrenjas.
“Rihapet qarkullimi në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas, ndërsa vijon dhe puna për ndërtimin e Aksit Rrugor Europian VIII”, shkruan Balla.
Rihapja e këtij segmenti vjen pas ndërhyrjeve intensive ditë e natë për rikthimin e lëvizjes në një nga akset kryesore të juglindjes së vendit.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në zonën e ndërhyrjes, ndërsa në vijim pritet të publikohen informacione të tjera lidhur me punimet përfundimtare dhe masat afatgjata në këtë segment.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



