E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Qeveria ‘hap thesin’ për komunitetet fetare, ja si ndahen paratë
Lajme

Qeveria ‘hap thesin’ për komunitetet fetare, ja si ndahen paratë

Qeveria shqiptare ka parashikuar një fond prej 203 milionë lekësh për mbështetjen e komuniteteve fetare gjatë këtij viti, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas ndarjes së buxhetit, pjesa më e madhe e fondeve i akordohet Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili përfiton mbi 57 milionë lekë. Ndërkohë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Kisha Katolike në Shqipëri përfitojnë secila nga rreth 48.6 milionë lekë.

Një pjesë e konsiderueshme e financimeve shkon edhe për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, e cila, përveç fondeve të zakonshme, përfiton edhe mbështetje shtesë për projekte konkrete. Konkretisht, është parashikuar një fond prej 28 milionë lekësh për ndërtimin e Teqesë së Shtufit në zonën e Gjirokastrës.

Këto fonde përdoren kryesisht për mbulimin e një pjese të pagave të punonjësve të institucioneve fetare, si dhe për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Shpërndarja e tyre bazohet në numrin e besimtarëve për secilin komunitet, sipas të dhënave të censit të popullsisë dhe banesave të vitit 2023.

Sipas këtij regjistrimi, mbi 1.1 milionë qytetarë janë deklaruar myslimanë, mbi 202 mijë katolikë, rreth 173 mijë ortodoksë dhe afro 116 mijë bektashinj, duke reflektuar një strukturë të larmishme fetare në vend.

Në buxhetin aktual nuk është përfshirë ende një fond i dedikuar për projektin e shumëdiskutuar të Parkut të Besimit, i cili synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për komunitetet fetare.

Ky projekt parashikohet të ndërtohet në një sipërfaqe prej rreth 210 mijë metrash katrorë pranë luginës së Erzenit dhe synon të presë deri në 30 mijë vizitorë në vit. Ai do të përfshijë ambiente për aktivitete të ndryshme dhe evente me kapacitet deri në 500 persona, duke reflektuar simbolet dhe identitetin e secilit besim.

Fondet për komunitetet fetare dhe projektet e lidhura me to mbeten të varura nga planifikimi buxhetor dhe zhvillimet që pritet të ndodhin gjatë vitit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.