Qeveria përgatit dhënien e 100 mijë hektarëve tokë bujqësore për të huajt
Qeveria shqiptare po përgatit një ndryshim të rëndësishëm ligjor që mund t’u japë shtetasve dhe kompanive të huaja mundësinë për të blerë tokë bujqësore në Shqipëri. Nisma vjen në një kohë kur mijëra familje shqiptare që kanë përfituar tokë sipas ligjit 7501 vijojnë të përballen me probleme pronësie, ndërsa procesi i kompensimit të ish-pronarëve mbetet ende i pazgjidhur.
Projektligji i hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me titull “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj”, është nxjerrë për konsultim publik për një periudhë 20-ditore, nga 14 maji deri më 11 qershor 2026.
Nisma synon të krijojë bazën ligjore që u lejon investitorëve të huaj të fitojnë pronësi mbi tokën bujqësore, një e drejtë që deri më tani nuk ekzistonte. Sipas argumenteve të paraqitura nga ministria, mungesa e një kuadri të qartë ligjor ka krijuar pasiguri juridike dhe ka penguar investime të reja në sektorin e bujqësisë.
Megjithatë, vetë dokumentet shoqëruese të projektligjit pranojnë se ekzistojnë rreziqe serioze që lidhen me zbatimin e tij. Në relacion theksohet se një nga shqetësimet kryesore është mundësia e përqendrimit të sipërfaqeve të mëdha të tokës në duart e një numri të kufizuar investitorësh të huaj, si dhe mungesa e mekanizmave të mjaftueshëm të kontrollit dhe monitorimit nga institucionet shtetërore.
Sipas relacionit shpjegues të firmosur nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla, ndryshimi i propozuar nuk konsiderohet thjesht një zgjedhje politike e qeverisë, por një detyrim që ka mbetur i parealizuar prej më shumë se dy dekadash.
Aktualisht, Ligji nr. 8337 i vitit 1998 u lejon shtetasve të huaj vetëm marrjen me qira të tokës bujqësore për një periudhë deri në 99 vjet. Projektligji i ri synon ta heqë këtë kufizim, duke hapur mundësinë e kalimit të pronësisë.
Ministria argumenton se ndryshimi do të krijojë kushte për aktivizimin ekonomik të rreth 100 mijë hektarëve tokë bujqësore shtetërore të pashfrytëzuar, të cilat konsiderohen si një potencial i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë kombëtare.
Përmes kësaj nisme, qeveria synon të tërheqë kapital të huaj, teknologji moderne dhe praktika bashkëkohore në prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore.
Projektligji parashikon që mundësia e blerjes të shtrihet si mbi tokat shtetërore, ashtu edhe mbi ato private. Për të shmangur krijimin e monopoleve, drafti vendos kufij të qartë mbi sipërfaqet që mund të zotërohen nga subjektet e huaja.
Sipas Nenit 4, një person fizik ose juridik i huaj mund të blejë deri në 2 hektarë tokë brenda territorit të një bashkie dhe jo më shumë se 30 hektarë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Po ashtu, pronësia mbi tokën bujqësore do të lejohet vetëm për investime të lidhura drejtpërdrejt me sektorin e bujqësisë. Përfituesit duhet të plotësojnë disa kushte, mes tyre të kenë statusin e rezidentit të përhershëm në Shqipëri për të paktën pesë vite dhe të kenë zhvilluar aktivitet të dokumentuar bujqësor në vend për të paktën tre vite.
Drafti vendos gjithashtu kufizime të forta për kategori të caktuara tokash. Nuk do të lejohet shitja e sipërfaqeve që ndodhen në zona të mbrojtura, parqe kombëtare, zona ushtarake apo pronave që janë pjesë e proceseve të kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve.
Edhe në rast se ligji miratohet gjatë vitit 2026, efektet e tij nuk do të ndihen menjëherë. Neni 12 parashikon që ligji të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa dispozitat që lidhen me fitimin e pronësisë nga të huajt do të zbatohen vetëm shtatë vjet pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Megjithatë, pikëpyetjet kryesore mbeten tek zbatimi praktik i ligjit. Edhe pse qeveria argumenton se janë parashikuar mekanizma për të shmangur dominimin e tregut nga investitorët e huaj dhe për të mbrojtur fermerët vendas, vetë relacioni evidenton mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme mbikëqyrëse.
Pikërisht kjo ngre shqetësimin nëse institucionet shqiptare do të jenë në gjendje të kontrollojnë në mënyrë efektive investitorët e mëdhenj të huaj, apo nëse kjo nismë mund të sjellë gradualisht dobësimin e modelit tradicional të fermës familjare shqiptare.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



