Qytetarët nuk dorëzohen, protesta hyn në ditën e 44-të të saj
Protesta qytetare ka hyrë në ditën e saj të 44-t, duke u kthyer në një nga lëvizjet më të gjata dhe më këmbëngulëse të viteve të fundit në Shqipëri. Çdo mbrëmje, qytetarë të shumtë vijojnë të mblidhen para Kryeministrisë, duke përsëritur të njëjtat thirrje që kanë shoqëruar protestën që në nisje të saj.
“Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Shqipëri e Re” kanë qenë sloganet që kanë dominuar edhe në tubimin e fundit, duke reflektuar pakënaqësinë e thellë ndaj klasës politike në tërësi.
Si në çdo ditë tjetër të kësaj lëvizjeje, protesta nuk u ndal vetëm para Kryeministrisë. Pas përfundimit të tubimit, protestuesit marshuan në rrugët kryesore të Tiranës, duke ndaluar fillimisht para Kuvendit dhe më pas përpara selisë së Partisë Demokratike.
Pikërisht para kësaj të fundit, u dëgjuan thirrje të forta si “Opozitë e shitur”, një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj opozitës, e cila sipas protestuesve është bërë pjesë e të njëjtit sistem që ata synojnë të rrëzojnë.
Pavarësisht ditëve që kalojnë, protesta vijon me të njëjtin intensitet dhe mesazhe të forta politike, duke dëshmuar një qëndrueshmëri të pazakontë dhe një klimë të tensionuar në jetën publike të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



