E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Qytetarët nuk e ndalin revoltën, sot dita e 103-të e protestës
Lajme

Qytetarët nuk e ndalin revoltën, sot dita e 103-të e protestës

Protesta qytetare kundër qeverisë pritet të vijojë edhe këtë të enjte, duke hyrë në ditën e 103-të të aksionit. Qytetarët pritet të mblidhen sërish përpara Kryeministrisë, ndërsa protesta e një dite më parë solli një formë të re organizimi, me marshimin që u zhvendos nga sheshi i tubimit drejt disa prej akseve kryesore të Tiranës.

Gjatë protestës së djeshme, pjesëmarrësit nuk u kufizuan vetëm te tubimi para Kryeministrisë. Ata nisën të lëvizin në grup drejt disa kryqëzimeve të rëndësishme të kryeqytetit, ku ndaluan dhe bllokuan përkohësisht qarkullimin e automjeteve.

Një prej pikave ku u zhvillua aksioni ishte kryqëzimi në Rrugën e Elbasanit, ndërsa protestuesit u zhvendosën më tej edhe në drejtim të Sheshit “Skënderbej”.

Marshimi u shoqërua gjatë gjithë kohës me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje kundër qeverisë. Mes sloganeve të dëgjuara gjatë protestës ishin “Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.

Kjo mënyrë organizimi shënoi një ndryshim të dukshëm në raport me protestat e mëparshme, pasi aksioni nuk u mbyll me përfundimin e fjalimeve para Kryeministrisë. Pjesëmarrësit vendosën ta vijojnë protestën në rrugët e kryeqytetit, duke u zhvendosur nga një pikë në tjetrën.

Thirrjet nga podiumi: “Kauza është më e rëndësishmja”

Përpara nisjes së marshimit, nga podiumi i vendosur para Kryeministrisë folën aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Në fjalimet e tyre u kërkua vazhdimi i aksionit dhe një pjesëmarrje më e gjerë qytetare.

Ambientalisti Sazan Guri u ndal te nevoja për të vendosur kauzën e protestës mbi përplasjet dhe ndasitë mes vetë protestuesve.

“Kauza është më e rëndësishmja, ajo na mbledh, na organizon dhe na bën të harrojmë zënkat”, deklaroi Guri.

Edhe mjeku Ermal Pashaj kritikoi qeverinë, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos tërhiqen nga reagimi i tyre.

“Duhet të japim zgjidhje. Është futur dhe përçarje mes nesh. Nuk duhet të ndodhë. Duhet të reagojmë ndaj lakut në fyt që po na vë qeveria”, u shpreh Pashaj.

Gjatë tubimit u diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit në politikën shqiptare, përfshirë edhe deklaratat e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Aktivistët paralajmëruan se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa nga podiumi u përcollën paralajmërime për atë që u cilësua si krijimi i “dinamikave të reja” në aksionin qytetar.

Protesta del nga sheshi dhe kalon në rrugët e Tiranës

Elementi më i veçantë i protestës së ditës së 102-të ishte pikërisht zhvendosja e aksionit nga zona përpara Kryeministrisë drejt rrugëve të kryeqytetit.

Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit nuk u shpërndanë, por nisën marshimin në grup. Në disa pika të Tiranës ata u ndalën përkohësisht, duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe duke vijuar thirrjet kundër qeverisë.

Kjo formë proteste solli një ndryshim në dinamikën e aksionit, duke e shtrirë atë përtej hapësirës tradicionale të tubimit para Kryeministrisë.

Ndërsa këtë të enjte pritet një tjetër grumbullim para godinës së qeverisë, mbetet për t’u parë nëse edhe dita e 103-të e protestës do të shoqërohet me marshime dhe bllokime të përkohshme në akset kryesore të Tiranës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.