Qytetari i përlotur në Kombinat: Na lanë pa shtëpi, në qiell të hapur
Një burrë përlotet para mediave, zëri i dridhet dhe mezi e mban veten…Se nuk mjaftuan qindra familje të Unazës së Madhe, të 5 Majit, Laprakës, Kodrës së Priftit e më gjerë që janë flakur rrugëve pa strehë nga bashkia e Tiranës, por janë edhe me dhjetëra familje që po e pësojnë njesoj në Kombinat.
Nën të ashtuquajturin plan për rindërtimin e pallateve apo banesave private nga tërmeti, bashkia i ka nxjerrë jashtë pa u dhënë asnjë informacion se çfarë do të bëhet me shtëpinë e tyre, me strehimin e tyre. E vetmja gjë që u është ofruar për t’u mbyllur gojën është lëmosha e bonusit të qerasë ose bonusi –lëmoshë me të cilin nuk mund të paguajnë as qeranë e një kasolleje në kryeqytet.
Pjetër Gjeloshi, ky që shihni, është një nga banorët pa banesë që guxoi e foli hapur: “Po na largojnë pa asnjë njoftim. Nuk e dimë se ku do të shkojmë” – tha ai.
“Quhem Pjetër Gjeloshi, banor i pallatit për 30 vjet. Na ka ardhur një letër në muajin dhjetor për banesën. Nuk kemi lëvizur. Na ka ardhur një letër dhe tani, pa asnjë lloj arsye, vetëm se “më datë 14 korrik lironi banesën”!!!
Nuk na ka ardhur asnjë informacion. Na ka ardhur vetëm letra dhe disa familjarë kanë filluar të ikin, disa kanë ikur, disa kanë marrë bonuse.
Unë s’kam marrë bonus. Nuk ka ardhur njeri të na thotë ku do të shkoni, ku do të rrini dhe sa kohë do të pritni për pallatin! Nuk kam marrë përgjigje fare nga minibashkia: “po deshe bonos, – thanë – mirë”.
U lajmëruam vetëm se është nga IKMT-ja. Nuk e di ku do të jetojmë nëse shembet (pallati). Jemi rrugëve, 5 anëtarë në familje. Tani aktualisht jetoj në një banesë afër Spitalit Amerikan ku qiraja është 30.000 lekë dhe jemi pa të ardhura, pa punë!!!” u shpreh Gjeloshi.
Historia e Pjetër Gjeloshit nuk ndryshon nga ajo e zonjës Lizë Marku, e cila arriti të takojë pas protestave dhe Kryeministrin për të mësuar se ku do të kompensohet me shtëpi e megjithatë sot jeton me qira me të gjithë djemtë e saj dhe familjet e tyre.
Po ndryshe nga zonja Lizë, me Gjeloshin e pastrehë ende nuk kanë bërë spektakël propagandistik para medieve as Rama, as Veliaj. Ende jo, së paku.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



