Rakipi prej 2 muajsh lë hapur kanalin e ujërave të zeza në Valias
Skandali i braktisjes në Valias: Ujërat e zeza prej dy muajsh mes rrugës kryesore
Banorët e Valiasit denoncojnë një situatë alarmante që vijon prej më shumë se dy muajsh, pas një ndërhyrjeje të nisur nga Ujësjellës-Kanalizime Kamëz. Sipas tyre, punonjësit e këtij institucioni hapën një kanal në rrugën kryesore që lidh zonën me aeroportin, por pas vetëm 2-3 ditësh pune, e braktisën duke lënë pas një gropë të madhe të mbushur me ujëra të zeza.
Rrezik për shëndetin publik
Pamja e shëmtuar nuk është problemi i vetëm. Banorët raportojnë një erë të padurueshme dhe një shtim të jashtëzakonshëm të mushkonjave, duke ngritur shqetësime serioze për shpërthimin e sëmundjeve, sidomos në temperaturat e larta të verës.
“Vjen një erë e tmerrshme dhe mushkonjat janë shtuar shumë. Kemi hallin mos na del ndonjë sëmundje. Nuk mund të rrinë ujërat e zeza kështu hapur, në këtë temperaturë. Është në rrugën kryesore të Valiasit, ku kalojnë shumë makina për në aeroport,” shprehen banorët.
Denoncimet e qytetarëve injorohen
Sipas tyre, janë bërë disa tentativa për t’u ankuar pranë institucioneve, por deri më tani asnjë reagim nuk ka ardhur nga Ujësjellës-Kanalizime Kamëz, që akuzohet si përgjegjës direkt për këtë gjendje. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për mbylljen e gropës dhe zgjidhjen përfundimtare të problemit.
“Punuan 2-3 ditë dhe e lanë kështu. Kanë kaluar mbi 2 muaj tashmë,” shtojnë ata, duke theksuar se rruga ku ndodhet gropa është një nga arteriet kryesore të qarkullimit për automjetet që shkojnë dhe vijnë nga aeroporti i Rinasit.
Thirrje për reagim urgjent
Komuniteti i Valiasit i bën apel institucioneve përgjegjëse që të mos e injorojnë më këtë situatë, e cila ka kaluar nga një problem teknik në një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe sigurinë rrugore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



