VIDEO/ Kamza e Rakip Sulit, ‘kockë e fortë’ për reshjet e shiut
Kryebashkiaku krenohet me investimet: Nuk përmbytet prej 5 vitesh!
Kamza prej pesë vitesh nuk përballet më me përmbytje, një problem që për dekada kishte kthyer reshjet e shiut në ankth për banorët. Ndryshimi ka ardhur si rezultat i një ndërhyrjeje të planifikuar dhe investimesh të qëndrueshme nga Bashkia Kamëz, menjëherë pas marrjes së detyrës nga kryetari Rakip Suli në vitin 2019.
Që në muajt e parë të mandatit, u hartua një projekt i detajuar për zgjidhjen përfundimtare të problematikës së kanalizimeve, ndërsa u sigurua edhe mbështetja financiare e qeverisë për përmirësimin rrënjësor të infrastrukturës. Kështu iu dha fund një plage që qyteti e kishte trashëguar për mbi 30 vite.
Sot, në një kohë kur shumë zona të vendit janë përfshirë nga përmbytjet, Kamza mbetet i vetmi qytet që nuk është prekur nga ky fenomen. Kjo, falë investimeve dhe ndjekjes së drejtpërdrejtë nga kryetari i bashkisë, ku gjatë pesë viteve janë ndërtuar qindra kilometra rrjet kanalizimesh, duke garantuar funksionim normal edhe gjatë reshjeve intensive.
Përmes një videoje të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, ku pasqyrohen disa nga investimet më të rëndësishme të realizuara ndër vite, kryebashkiaku Rakip Suli thekson se Kamza ka lënë pas vuajtjet e së shkuarës. Ai shprehet se, falë mbështetjes së Kryeministrit dhe punës së vazhdueshme, qyteti është transformuar rrënjësisht, duke mos njohur asnjë përmbytje që prej vitit 2020.
Sipas Sulit, ndërtimi i rreth 406 kilometrave rrjet kanalizimesh ka zgjidhur probleme të mbartura prej dekadash, ndërsa videoja dëshmon qartë kontrastin mes realitetit të dikurshëm dhe Kamzës së sotme, një qytet më i sigurt, me infrastrukturë funksionale dhe zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët.
“Falë investimeve me mbështetjen e Kryeministrit, Kamza e ka lënë pas vuajtjen 30-vjeçare dhe sot është një qytet i transformuar. Nga një realitet me probleme të thella infrastrukturore, sot Kamza nuk ka asnjë përmbytje që nga viti 2020 dhe me 406 km rrjet kanalizimesh të ndërtuar, investime që kanë zgjidhur problematika të mbartura prej dekadash. Videoja tregon qartë mes asaj që gjetëm dhe asaj që është Kamza sot, punë me përgjegjësi, zhvillim dhe më shumë siguri për qytetarët”, shkruan Suli.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



