Rama heq dorë nga karriget e dialogut, nxjerr tavolinën prej guri
Kryeministri Edi Rama ka gjetur një mënyrë tjetër për të përcjellë ftesën e tij për dialog me studentët që prej dy javësh protestojnë kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Këtë të hënë, përpara godinës së Kryeministrisë është vendosur një gur i punuar në formën e një tavoline, duke zëvendësuar karriget që ishin përdorur në ditët e mëparshme si simbol i ftesës së Ramës për bisedime me të rinjtë.
Ndryshimi vjen në një kohë kur përplasja mes qeverisë dhe protestuesve vijon, ndërsa thirrjet e kryeministrit për dialog nuk kanë sjellë deri më tani një ndryshim në qëndrimin e studentëve.
Gjatë protestave të fundit, të rinjtë u kanë vënë flakën karrigeve të vendosura për dialog dhe kanë rrokullisur gurët që ishin vendosur më herët përpara Kryeministrisë. Veprimet e tyre janë shoqëruar me refuzimin e përsëritur të ftesës për bisedime, për sa kohë në krye të kërkesave të tyre mbetet largimi i Edi Ramës nga posti i kryeministrit.
Kështu, këtë herë, në vend të karrigeve, është zgjedhur një tavolinë prej guri, në një tjetër përpjekje simbolike për të përcjellë mesazhin e dialogut.
Megjithatë, qëndrimi i studentëve mbetet i pandryshuar. Ata vijojnë të këmbëngulin se nuk pranojnë të ulen në tryezë me kryeministrin pa u plotësuar kërkesa e tyre politike për dorëheqjen e tij.
Ndërsa Rama përsërit ftesën për bisedime përmes simboleve të vendosura përpara Kryeministrisë, protesta vijon të shënojë një përballje të drejtpërdrejtë mes qeverisë dhe të rinjve, të cilët kërkojnë largimin e tij nga pushteti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



