Rama flet për imazhin qe krijoi ‘Projekti i dhëndrit të Trump’ në Sazan: Më mori një miku im amerikan dhe më tha ore është e vërtetë?

“Ishulli i Sazanit është kartëvizita e Shqipërisë në industrinë e turizmit në mes të Mesdheut nëse bëjmë gjënë e duhur”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në tryezë krah një grup të rinjsh që shërbejnë në pikat agroturistike më të frekuentuara në vend.

“Sa më takon mua Sazani është pika ku ne mund të shkruajmë kartëvizitën e Shqipërisë në mes të Mesdheut dhe mund t’ju themi të githëve pa përjashtim, ‘të gjithë tigrat, luanët e elefantët e industrisë së turizmit në botë.

Ti kthe sytë nga të duash, ke arsye për të shkuar për turizëm. Me Sazanin, nëse bëjmë gjënë e duhur, vëmë kartëvizitën atje dhe themi “Ne jemi Shqipëria!’ dhe ngrejmë stekën në një nivel që disa vite më parë nuk mund të imagjinohej”, tha ai.

Rama kujton kohën kur askush nuk guxonte dhe nuk donte të investonte, e ndihet krenar për projektin e ‘rilindjes urbane’.

“Kam dashur që në fillim, dhe jemi përpjekur, se kjo punë shkon me kontakte, me biseda, por po ju them një gjë që në 5 – 6 vitet e para mund të ulesha me njerëz të rëndësishëm, investitorë dhe u thoja investoni në turizmin në Shqipëri, e kuptoja që kjo nuk ndodh.

Duhet Shqipëria t’i bëjë të vijnë, nuk mund të vijnë këta se po iuI flas unë. E gjithë angazhimin me rilindjen urbane që thonë këta fasada fasada, filloi të hapte sytë dhe aparatët. Shqipëri në 2013, më tregoni një vend ku kishte për të bërë fotografi pa shmangur nga ekrani ndonjë shëmti. Ku kishte vendbanime që mund ta merrje në fotografi si sot që është bërë nami”, tha Rama.

Sot jemi në kohën kur Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump propozon një projekt për ndërtimin e resorteve luksoze në Sazan. Kryeministri e quajti aplikim serioz.

“Sot jemi në kushtet që kemi një aplikim nga Sazani. Të shohim! Natyrisht është një aplikim serioz nga një grup jashtëzakonisht i njohur. Se këta janë dhe të çuditshëm…(Shenim: I referohet kundershtareve te projektit)”.

Ai zbuloi se ka pasur dhe oferta të tjera por se objektivi  është i qartë.

“Këto proceset e investimeve janë ato që kërkojnë kohë e negociata. Kemi pasur kërkesa 3- 4. Kanë ardhur shumë për të parë, por kur na kanë treguar me prezantime çfarë kanë dashur të bëjnë, jo. Nuk është kjo. Ne nuk duam të ndërtojmë një gjë që e gjen në çdo vend në Shqipëri.

Duam të jetë një destinacion ku natyra të jetë aseti dhe arsyeja kryesore. E zhvillimi të jetë aq i cilësisë së lartë sa të krijojë një model turizmi që sjell shumë të ardhura e të funksionojë dhe si tërheqje për turizmin”, tha Rama.

Propozimi i investimit është në fazën e diskutimit por dhe nëse nuk pranohet, tregon anën e mirë të gjithë kësaj zhurme në media.

“Miku im amerkan më mori e më tha është e vërtetë. Ore dhe po nuk erdhën, zhurma që është bërë në media dhe fama që kanë ata do të sjellë shumë njerëz. Të gjitha këto nuk i paguan dot me miliona reklamë.

Sepse nuk je ti që çon një reklamë siç patëm bërë dikur reklama ‘Shqipëria, Shqipëria!’ Harxho lekë kot! Mbi të gjitha një investim i tillë në Sazan ose investime të tilla fuqizojnë të gjithë”, u shpreh Rama.

Publikuar nga Publik Media