Rama ‘i fut shqelmin’ Pirro Vengut, si i shkarkoi djalin e tezes
Kryeministri Edi Rama ka vendosur të shkarkojë nga detyra zëvendësministrin e Mbrojtjes Andrea Shllaku, duke emëruar në vend të tij Pranvera Skana.
Vendimi u mor në mbledhjen e fundit të qeverisë dhe shihet si pjesë e një vale ndryshimesh në Ministrinë e Mbrojtjes. Lëvizja vjen në një klimë të tensionuar politike, ku janë ngritur akuza për emërime të diskutueshme dhe ndikime personale në administratë.
Në qendër të debatit është edhe emri i Pirro Vengu, për të cilin ka pasur akuza për favorizime dhe përfshirje të afërmve në struktura shtetërore. Shkarkimi i Shllakut interpretohet si një sinjal i qartë për ndërprerjen e praktikave të tilla dhe për një riorganizim të brendshëm në institucion.
Andrea Shllaku ka ndjekur një rrugë të konsoliduar në administratë, duke mbajtur disa funksione drejtuese në institucione të rëndësishme.
Shllaku ka pasur poste kudo ku ka shërbyer Pirro Vengu. Ai ka shërbyer për 3 vjet si shef i kabinetit të Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv në Autoritetin Portual Durrës dhe më pas për dy vjet si Drejtor i Divizionit Operacional, duke mbikëqyrur operacionet portuale. Në atë kohë drejtor i portit ishte Vengu.
Kur ky i fundit u bë ministër, Shllaku u emërua Këshilltar i Jashtëm për Infrastrukturat Portuale pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërsa në dhjetor u bë zv/ministër.
Në të njëjtën periudhë, si Shllaku ashtu edhe Pirro Vengu kanë qenë pjesë e strukturave drejtuese të Albanian Seaports Development Company, një kompani shtetërore e lidhur me projekte zhvillimi në Durrës. Brenda kësaj strukture, Pirro Vengu ishte Administrator i Përgjithshëm e Anëtar Bordi; djali i tezes së tij, Andrea Shllaku ishte Kryetar Bordi.
Këto zhvillime janë shoqëruar me diskutime dhe akuza në hapësirën publike lidhur me mënyrën e përzgjedhjes dhe përfshirjes së zyrtarëve në poste kyçe, duke ngritur debate mbi standardet e funksionimit të administratës publike.
Ky zhvillim pritet të ndikojë në balancat brenda Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të pasohet nga ndryshime të tjera në nivele të ndryshme të administratës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



