E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama kërkon “prerje kokash”: Kush s’ka arritur objektivat, të dorëhiqet
Lajme

Rama kërkon “prerje kokash”: Kush s’ka arritur objektivat, të dorëhiqet

Kryeministri Edi Rama ka mbyllur në Pogradec ditën e dytë të takimit me ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste, ndërsa në fokus të diskutimeve ka qenë edhe performanca e administratës shtetërore.

Sipas detajeve të bëra të ditura nga mbledhja, diskutimet janë përqendruar te rezultatet e drejtuesve, realizimi i objektivave dhe përgjegjësia për detyrat e papërmbushura.

Mesazhi i Ramës ka qenë i qartë: administrata duhet t’i nënshtrohet një “rifreskimi”, ndërsa paralajmërimi prek veçanërisht drejtorët dhe drejtuesit e institucioneve që nuk kanë arritur objektivat e përcaktuara nga qeveria.

Për drejtuesit që nuk kanë përmbushur detyrat është kërkuar dorëheqja, pa pritur rikthimin në Tiranë. Kriteri kryesor i vendosur në diskutim lidhet me performancën dhe realizimin e objektivave.

Çështja e administratës nuk ka qenë një temë e veçuar vetëm në ditën e dytë të takimit. Ajo ishte pjesë e axhendës që prej ditës së parë, ndërsa diskutimi më pas është zhvendosur te përgjegjësitë konkrete dhe rezultatet e drejtuesve.

Rama ka vendosur gjithashtu në fokus mënyrën se si funksionon administrata dhe marrëdhënien e institucioneve me qytetarët, duke përfshirë cilësinë e shërbimeve dhe zbatimin e detyrave të përcaktuara nga qeveria.

Ministrat raportuan para Ramës

Gjatë takimit, ministrat kanë raportuar njëri pas tjetrit përpara kryeministrit. Secili prej tyre kishte në dispozicion vetëm 15 minuta, ku 10 minuta ishin parashikuar për prezantimin e bilancit të dikasterit dhe 5 minuta për diskutim.

Raportimet nisën me ministritë që mbulojnë Mbrojtjen, Drejtësinë, Financat, Ekonominë dhe Inovacionin, Infrastrukturën dhe Energjinë, Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Pushtetin Vendor dhe Administratën Publike.

Më pas raportuan sektorët e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, si dhe Arsimit dhe Sportit.

Pas orës 15:00, diskutimet u zhvendosën te politika e jashtme, integrimi europian, administrata publike, antikorrupsioni dhe marrëdhëniet me Parlamentin.

Tenderët dhe komunikimi publik në fokus

Një tjetër çështje konkrete e mbledhjes kanë qenë procedurat e prokurimit. Sipas axhendës, në orën 16:00 u diskutuan problematikat e tenderëve për periudhën janar-gusht 2026.

Në tryezë janë vendosur gjithashtu masat e Agjendës së Reformave, rezultatet dhe problematikat e evidentuara, propozimet për fazën e ardhshme dhe ecuria e projekteve të AIC-së.

Edhe komunikimi publik i qeverisë ka pasur një hapësirë të posaçme në axhendë. Për këtë çështje ishin rezervuar 32 minuta, nga ora 16:28 deri në 17:00, për komunikimin dhe promovimin në media.

Takimi u mbyll me diskutimet përfundimtare dhe fjalën përmbyllëse të kryeministrit Rama.

Mbledhja dyditore në Pogradec i ka ndarë diskutimet në dy nivele: dita e parë u përqendrua te drejtuesit politikë të qarqeve, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe organizimi i strukturave të PS-së, ndërsa dita e dytë te qeveria, ministritë, administrata dhe realizimi i objektivave.

Deri tani nuk ka njoftime për ndryshime konkrete në administratë. Mbetet për t’u parë nëse paralajmërimi i Ramës për “rifreskim” do të pasohet nga shkarkime dhe dorëheqje konkrete në ditët në vijim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.