Rama merr para? Arben Ahmetaj sjell në skenë “El Chapon”
“Edhe El Chapon nuk e kapën duke shpërndarë drogë, por shkatërroi botën me drogë”
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se vendimmarrja në qeveri është përqendruar në duart e një personi dhe se vendimet e rëndësishme kalojnë përmes tij.
Në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, Ahmetaj foli për atë që e cilësoi si “shpërbërje të shtetit” dhe “gjakderdhje financiare”, duke pretenduar se hetimet e deritanishme kanë prekur vetëm një pjesë të mekanizmit që, sipas tij, vijon të funksionojë.
“Jemi duke folur për shpërbërje shteti dhe gjakderdhje financiare. Segmente të SPAK kanë çmontuar vetëm bulonat, struktura është e fortë”, deklaroi Ahmetaj.
Ai iu referua veçanërisht tenderëve publikë, duke përmendur edhe AKSHI-n, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si zhvillohen procedurat e prokurimit.
“Bota janë budallenj që bëjnë tendera? Ukraina në luftë bën tendera, ky në paqe nuk bën tendera dhe, kur i bën, i paracakton. Jemi në këtë pikë”, tha ai.
Ahmetaj përmendi më pas edhe disa vendimmarrje konkrete, mes tyre çështjen e News24 dhe Aeroportit të Vlorës, duke pretenduar se në këto procese përgjegjësia përfundimtare lidhet me kryeministrin Rama.
“Vendimet si ai për News24, si për Aeroportin e Vlorës, aty ka vetëm një njeri. Numrat 2 i ka fshirë, numrat 3 i ka vrarë, degdisur, aty është vetëm ‘kreu i organizatës’”, u shpreh ish-zëvendëskryeministri.
Krahasimi me “El Chapo”-n
Në vijim të deklaratës së tij, Ahmetaj përdori një krahasim me ish-kreun e kartelit të Sinaloas, Joaquín “El Chapo” Guzmán, për të argumentuar se, sipas tij, një drejtues nuk është e nevojshme të kapet duke kryer personalisht një veprim për të mbajtur përgjegjësi për aktivitetin e një organizate.
“Po kur thonë Ramën s’e kanë gjetur me para? Edhe El Chapon nuk e gjetën duke shpërndarë drogë, por shkatërroi botën me drogë. Vendimet i merr ‘kreu i organizatës’”, deklaroi Ahmetaj.
Deklaratat e ish-zëvendëskryeministrit janë pjesë e akuzave të tij politike ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama. Ahmetaj nuk paraqiti në këtë deklaratë një vendim gjyqësor që të përcaktojë përgjegjësi penale për kryeministrin lidhur me pretendimet e ngritura prej tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



