Rama në “epokën e prasit”: Britanika është pas nesh, duhet të presin për në BE
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të shfaqet në një tjetër rol në skenën ndërkombëtare, këtë herë në Bruksel, ku gjatë një interviste me gazetaren Maria Tadeo në kuadër të “Euronews Enlargement Summit” nuk ka kursyer as ironinë ndaj Britanisë së Madhe.
Teksa diskutonte për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Rama e zhvendosi bisedën drejt Brexit-it, duke u dhënë britanikëve një këshillë që vetëm ai mund ta servirte me kaq siguri: nëse duan të rikthehen në familjen europiane, duhet të presin radhën, sepse këtë herë Shqipëria qenka përpara tyre!
Në atë që mund të konsiderohet si një tjetër dalje në “epokën e prasit”, kryeministri foli me një vetëbesim që shkoi përtej ironisë, duke e paraqitur Shqipërinë si vendin që tashmë u tregon të tjerëve se ku është radha në procesin europian. Madje, ai nuk la pa futur në këtë batutë as një thumb për krimin e organizuar në Britaninë e Madhe.
Rama e shoqëroi deklaratën me humor, duke kujtuar se për mijëra vite britanikët kanë qenë në krye, por tani u takon të qëndrojnë pas shqiptarëve. Një përmbysje renditjeje që kryeministri e shiti si arsye për krenari, ndërsa në fund e mbylli me një ftesë që britanikët të rikthehen në BE.
“Britanikët duhet të presin, janë pas nesh. Të jesh përpara britanikëve më në fund, pas mijëra vitesh që ishin në krye, tani duhet të rrinë pas. Shqiptarët do të përshëndesin çdo arritje të tyre.
I inkurajojmë të luftojnë krimin e organizuar, të kenë kurajë dhe të kthehen në shtëpi, sepse nuk po kalojnë mirë në mes të oqeanit. Është shaka! Duhet të jeni në BE dhe kudo doni ju”.
Kështu, ndërsa Shqipëria vijon rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, Rama duket se ka gjetur kohën të shpërndajë edhe radhët e pritjes për vendet që duan të rikthehen në union. Britanikët, sipas tij, këtë herë duhet të mësohen të presin pas shqiptarëve”, u shpreh Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



