Rama: Nuk ka asnjë anëtar i qeverisë sime në burg
Kryeministri Edi Rama ka komentuar arrestimet e disa zyrtarëve të Partisë Socialiste, duke theksuar se nuk ka asnjë anëtar të qeverisë së tij në burg dhe duke e cilësuar si “qesharake” tezën se gjysma e qeverisë ndodhet pas hekurave.
“Unë nuk kam faktikisht asnjë anëtar të qeverisë në burg prej shumë e shumë kohësh. Ata që janë marrë në hetim dhe janë dërguar para gjykimit nuk kanë qenë anëtarë të qeverisë në kohën që ka ndodhur ngjarja, por shumë më përpara,” deklaroi Rama.
Duke theksuar rolin e tij në reformën në drejtësi, Rama tha: “Nëse sot flitet për drejtësi, për ministra, kryetarë bashkish, madje edhe për ish-presidentë e ish-kryeministra, kjo nuk është një ditë që erdhi nga qielli, por nga PS me mua në krye.”
Kreu i qeverisë shtoi se askush nuk është mbi ligjin: “Nuk ka rëndësi si quhesh apo mbiemri yt është i njohur apo jo, nëse drejtësia të troket në derë, je i barabartë me të tjerët.”
Në vijim të deklaratës, Rama kritikoi opozitën për sjelljen e saj ndaj reformës në drejtësi dhe bëri një paralelizëm me të kaluarën: “Kur ka ndodhur kjo më parë? Kur vriteshin qytetarë poshtë kësaj dritareje, apo kur prokurorët cilësoheshin si ‘lavire bulevardi’?”
Në një tjetër koment, Rama iu referua deklaratave të drejtuesit politik të fushatës së PD-së, Chris LaCivita, duke ironizuar situatën: “Edhe Latifi kishte thënë për non gratën ‘nuk e di çfarë të them’. Kjo historia që do hiqej në janar, mars, prill… ta shohim. Por mos më qani hallin mua.”
Kryeministri përmendi gjithashtu raportimet për blerje votash: “Pashë që kishin dalë këta që jepnin lekë nga paratë e kënetës. Këneta ka para. E keni parë sa e paguan Latifin? Kapën një zhapik nga Lushnja a Divjaka që jepte para për vota. Kjo është krim që ndëshkohet rëndë dhe nuk ia vlen fare.”
Nga rubrika ‘Sy m’sy’, kryeministri Edi Rama riktheksoi se SPAK dhe prokurorët kanë mbështetjen e tij.
Rama tha se ishte Partia Socialiste që ‘ia dha shpatën’ Altin Dumanit që të thirreshin para prokurorisë njerëz me pushtet si kurrë më parë.
“Altin Dumani është një burrë i ndershëm prej shumë vitesh, e kishe dëgjuar më parë, kishte thirrë ndonjë njeri në pushtet ti thoshte hajde këtu? Kishte parë njerëz në pushtet të kalonin para prokurorisë me kamera si në festivalin e kanës.
Nga hëna erdhi ky Altin Dumani? Një prokuror me vite të tëra, por nuk kishte shpatën sepse shpata ishte në këtë zyrën këtu.
Bufi futi në burg kundërshtarin e tij politik përmes një drejtësie kukull dhe me shpatën që kishte këtu. Unë atë shpatën e mora dhe ia dorëzova drejtësisë. Meqë Altin Dumanit nuk i kanë lënë rob shpie pa i thënë për turpin e tyre, ka gjithë solidaritetin tonë”-u shpreh Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



