Rama reagon ashpër: Rojet private “Bandë muskujsh pa tru”
Nesër dal live për të vërtetat dhe gënjeshtrat
TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një shënimi në rrjetin social X lidhur me ngjarjet e fundit që përfshijnë incidentin e dhunshëm në plazhin e Jalës dhe diskutimet mbi një projekt të ri madhor turistik në zonën e Vlorës.
Kreu i qeverisë ka paralajmëruar një komunikim të drejtpërdrejtë ditën e nesërme në orën 10:00, ku premton të ndajë detaje mbi projektin dhe të rrëzojë ato që ai i quan “gënjeshtra të mëdha”.
“Një projekt i jashtëzakonshëm për Shqipërinë”
Rama ka theksuar se projekti në fjalë nuk është një vendim i momentit, por një plan i mirëfilltë mbi të cilin po punohet prej vitesh. Ai ka hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe zërat e ditëve të fundit, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
“Nesër është radha ime të flas për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, i cili ka disa vite që përgatitet dhe nuk ka absolutisht asnjë lidhje me disa gënjeshtra të mëdha që kanë qarkulluar ditët e fundit,” shkruan Rama.
Sulm i ashpër sigurisë private dhe mesazh Policisë së Vlorës
Kryeministri nuk ka kursyer gjuhën e ashpër ndaj punonjësve të sigurisë private të përfshirë në konfliktin e Jalës, duke i quajtur ata një “bandë muskujsh pa tru”. Ndërkohë, ai ka përgëzuar lidershipin e Policisë së Shtetit për ndërhyrjen e shpejtë, duke konfirmuar se masat e marra ndaj drejtuesve lokalë të policisë në Vlorë janë tregues i një epoke të re.
“Përgëzoj drejtimin e Policisë së Shtetit për reagimin e tyre të shpejtë dhe të saktë, qoftë ndaj asaj bande muskujsh pa truri me statusin e rojave private të sigurisë, qoftë ndaj drejtuesve lokalë të policisë së Vlorës. Qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cenon besimin e publikut është ajo e duhura,” deklaron kreu i ekzekutivit.
Nesër detajet “Live”
Në mbyllje të reagimit të tij, Rama ftoi të gjithë të interesuarit të ndjekin komunikimin e tij publik ditën e nesërme, ku pritet të bëhen publike faktet rreth investimit dhe të sqarohet e gjithë dinamika e ngjarjeve.
“Për vetë projektin dhe të vërtetat e të pavërtetat rreth tij, më shumë nesër në orën 10:00. Live për të gjithë të interesuarit, natyrisht,” përfundon shkrimi i tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



