E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Protestuesi u tërhoq zvarrë, kryeplaku i Zvërnecit rrëfen detajet dramatike
Lajme

Protestuesi u tërhoq zvarrë, kryeplaku i Zvërnecit rrëfen detajet dramatike

Më 30 maj, banorët e Zvërnecit dolën në protestë kundër rrethimit të zonës Pishë-Poro Nartë nga kompania e ndërtimit “Zvërnec South Adriatic Development”, duke kundërshtuar kufizimin e aksesit në një hapësirë që ata e konsiderojnë publike dhe të mbrojtur.

Protesta u shoqërua me përplasje dhe dhunë, ku protestuesit u përballën me rojet private të kantierit të ndërtimit.

Tensionet nisën pasi një prej protestuesve u tërhoq brenda rrethimit të zonës dhe më pas u godit me grusht nga rojet private. Situata u përshkallëzua më tej, pasi ai u tërhoq zvarrë për disa metra dhe më pas humbi ndjenjat.

Kostaq Konomi, kryeplaku i Zvërnecit, i pranishëm në protestë, deklaroi për BIRN se qytetari u dhunua rëndë përpara se të humbiste ndjenjat dhe se gjendja e tij ishte shqetësuese edhe pas transportimit në spital.

“E qëlluan në fyt dhe humbi ndjenjat. Në spital pështynte gjak,” u shpreh Konomi.

Ndërkohë, në reagimin zyrtar, Policia e Vlorës dha një version tjetër të ngjarjes, duke raportuar se një prej protestuesve kishte hyrë me forcë në kantier dhe ishte shoqëruar nga punonjësit e sigurisë private.

“Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet”, thuhet në njoftimin e policisë.

Çfarë po ndodh aktualisht në Zvërnec?

Ditët e fundit, vëmendja publike është përqendruar te zona midis lagunës së Nartës dhe vijës bregdetare të Zvërnecit, ku po zhvillohen punime intensive ndërtimi.

Territori është rrethuar me tela, ndërsa brenda tij operojnë mjete të rënda, përfshirë kamionë të ngarkuar me inerte, duke sinjalizuar zhvillimin e një projekti të madh turistik.

Më 16 maj, dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të organizatave mjedisore si PPNEA, AOS dhe grupi “Shpëto Vlorën” protestuan para gardhit rrethues, duke ngritur shqetësime për dëmtimin e një zone të mbrojtur dhe mungesën e transparencës.

Sipas tyre, hyrja në territor është kufizuar përmes telave me gjemba, ndërsa mungojnë tabelat informuese dhe komunikimi institucional mbi natyrën e projektit dhe subjektet që po kryejnë punimet.

Aktivistët paralajmërojnë se projekti, i prezantuar si zhvillim turistik, mund të shndërrohet në një ndërhyrje masive urbane që rrezikon seriozisht ekosistemin dhe habitatin natyror të zonës.

Kush po ndërton?

Punimet në terren po realizohen nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila ka përfituar dy leje zhvillimi gjatë vitit 2025 për ndërtimin e një resorti turistik në shkallë të gjerë.

Megjithatë, këto leje nuk janë bërë ende publike, duke shtuar dyshimet dhe kërkesat për transparencë nga ana e komunitetit dhe organizatave mjedisore.

Projekti lidhet me një investim të raportuar më herët edhe në media ndërkombëtare dhe parashikon ndërtimin e mijëra njësive akomoduese në një zonë strategjike që ndan lagunën e Nartës nga deti Adriatik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.