E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Rama tenton ta kthejë në “sukses” skandalin e SHISH
Lajme

Rama tenton ta kthejë në “sukses” skandalin e SHISH

Shmang përgjegjësitë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për hetimin ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke e lidhur çështjen me funksionimin e drejtësisë dhe reformën në drejtësi. Rama tha se hetimi dhe gjykimi i Hysenit i takojnë drejtësisë, ndërsa kundërshtoi që materialet e prokurorisë të përdoren për të nxjerrë përfundime publike përpara vendimit të gjykatës.

I pyetur për çështjen gjatë konferencës së përbashkët me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama tha se hetimet ndaj zyrtarëve të lartë duhet të shihen edhe si tregues i funksionimit të institucioneve të drejtësisë.

“Bëjini një pyetje vetes, pse BE, pse Komisioni Europian ngjarje që këtu trajtohen si arsye për të goditur dhe përhapur valë dëshpërimi, i shikon si arsye për ta konsideruar Shqipërinë një partner shumë serioz dhe një vend që aspiratat e veta i ka të lidhura me faktet dhe përpjekjet e përditshme dhe, ndër to, edhe provat e një lufte pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, mënyra se si trajtohen këto raste në Shqipëri është e ndryshme nga perceptimi që, sipas tij, kanë institucionet europiane.

“Ajo që nga shumëkush shihet si regres, nga BE shihet si progres. Nuk është thjesht progres. Është transformim”, tha Rama.

Rama: Përfundimet t’i lihen gjykatës

Duke iu referuar drejtpërdrejt çështjes së Vlora Hysenit, Rama tha se vendimi për përgjegjësinë duhet të merret nga gjykata dhe jo nga publikimi i materialeve të hetimit.

“I duhet lënë gjykatës, nuk duhet lënë me letrat e prokurorisë që nxirren për të bërë çorbë opinionin publik”, deklaroi ai.

Rama ka përsëritur edhe qëndrimin se hetimi dhe gjykimi i Hysenit janë përgjegjësi ekskluzive e drejtësisë, ndërsa mbrojtja e SHISH nga dëmet e mundshme kolaterale është përgjegjësi e shtetit.

“Përgjegjësia politike është një avaz i përsëritur”

I pyetur për përgjegjësinë politike të qeverisë lidhur me emërimin e drejtueses së SHISH, Rama tha se përgjegjësia për veprimet e një zyrtari duhet të jetë individuale.

“Kjo e përgjegjësisë politike është një avaz i përsëritur në mjedisin e diskutimit publik. Unë nuk pretendoj t’ju ndryshoj kuptimin që keni për përgjegjësinë politike. Për mua, përgjegjësia politike është një: që reforma në drejtësi të mos ndalet, që lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha veprimeve që bien ndesh me ligjin të zhvillohet gjithmonë e më shumë si një mision i sistemit.

Ne kemi qenë këtu kur ato që shohim sot as nuk mund të imagjinoheshin. Kjo ka ndodhur vetëm pasi ndërmorëm përpjekjen transformuese dhe bëmë reformën në drejtësi.

Nëse pyetja juaj nënkupton se për përgjegjësitë individuale duhet të përgjigjemi si në komunizëm, unë them se atë sistem e kemi lënë pas.

Nëse mendoni se, sapo bëhet një emërim, lind automatikisht përgjegjësia e atij që emëron për çdo gabim që mund të bëjë më vonë i emëruari, atëherë kjo është një mënyrë e të parit të gjërave që i përket komunizmit”, tha Rama.

“Askush nuk merret në mbrojtje”

Kryeministri foli edhe për zyrtarët që mund të përballen me hetime, duke thënë se ata duhet të japin llogari përpara drejtësisë nëse shkelin ligjin.

“Sot, në demokraci, ne kemi detyrë të përcaktojmë objektivat, të tregojmë çfarë duam të bëjmë me mbështetjen dhe fondet që mblidhen nga taksat dhe të japim llogari për mënyrën se si qeverisim.

Ata që tradhtojnë qëllimin e përbashkët duhet të përballen me pasojat përmes sistemit të pavarur gjyqësor.

Franca është një vend demokratik. Atje ministri i Drejtësisë u akuzua për pedofili, por nuk u largua nga detyra dhe presidenti nuk mori asnjë përgjegjësi politike. Në fund, procesi e nxori ministrin të pafajshëm dhe ai vazhdon të jetë në detyrë.

Këto janë qasje që secili vend i ndjek sipas sistemit të vet. Askush nuk merret në mbrojtje kur vjen puna për t’u përballur me pasojat e një veprimi që hyn në sferën e hetimit apo të gjykimit të pavarur”, tha Rama.

Çështja e Vlora Hysenit

Vlora Hyseni u vendos në arrest shtëpie dhe u pezullua nga detyra pas një vendimi të Gjykatës së Posaçme, në kuadër të hetimit të SPAK. Presidenti Bajram Begaj më pas dekretoi shkarkimin e saj nga drejtimi i SHISH, pas propozimit të kryeministrit Rama.

Rama e ka mbrojtur më herët procesin e emërimit të Hysenit, duke deklaruar se ajo kishte pasur referenca të mira nga partnerët ndërkombëtarë. Ai ka theksuar gjithashtu se hetimi ndaj saj duhet t’i lihet drejtësisë.

Në këtë mënyrë, në deklaratat e tij të fundit, Rama e ka vendosur theksin te përgjegjësia individuale e zyrtarëve dhe te funksionimi i sistemit të drejtësisë, ndërsa përgjegjësitë institucionale lidhur me mbrojtjen e SHISH i ka lidhur me shtetin dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.