Rama ‘tërbohet’ dhe i bie tavolinës. Nuk tërhiqemi nga projekti për Zvërnecin
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një komunikimi me mediat, pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, se projekti i planifikuar për zonën e Zvërnecit do të zhvillohet ekskluzivisht në prona private që disponojnë tituj të rregullt pronësie.
Sipas tij, pas refuzimit të një versioni të mëparshëm të projektit, investitorët kanë ndërmarrë hapa të rinj duke angazhuar ekspertizë ndërkombëtare për rikonceptimin e plotë të planit dhe përgatitjen e dokumentacionit përkatës.
“Pasi u refuzua projekti investitorët angazhuan 5 studio ndërkombëtare ndër më të mirat në botë, dhe një grup inxhinierësh nga më të mirët në botë që ende po punojnë të paraqesin studimin mjedisor që nuk e kemi ende.”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te polemikat lidhur me gardhin e vendosur në zonë, duke e cilësuar atë si një shkelje të rëndë dhe duke paralajmëruar masa ndaj kompanisë përgjegjëse.
“Lufta deri tani po bëhet me një gardh të shëmtuar skandaloz me tela me gjemba për të cilën kompania do të paguajë një gjobë të majme dhe për dhunën e ushtruar nga ajo kompania që nuk do të punojë më në republikën e Shipërisë.”
Rama bëri të ditur se investitorët kanë zhvilluar takime në terren, konkretisht në Vlorë, ku janë konsultuar me ekspertë dhe përfaqësues të botës akademike për të trajtuar të gjitha aspektet e projektit.
“Kanë ardhur investitorët, ka ardhur edhe ajo zonja në Vlorë jo për të bërë foto apo pushime, por me inxhinierë dhe grupin e arkitektëve dhe kanë bërë gjysmë dite dëgjesë me profesorë që kanë folur për të gjithë aspektet.”
Duke folur për ecurinë e projektit, kryeministri njoftoi se një variant i ri është paraqitur në muajin mars të vitit 2026, duke reflektuar ndryshime thelbësore nga konceptet e mëparshme.
“Në mars 2026 është paraqitur një projekt tjetër komplet i rikonceptuar me një qasje tërësisht ndryshe.”
Ai theksoi gjithashtu se projekti nuk ka marrë miratim të plotë dhe se institucionet përkatëse kanë vendosur kushte të qarta për vijimin e tij.
“Këshilli Kombëtar i Territorit, tregtarët pra që për llogari timen shesin Shqipërinë, nuk e kanë miratuar të gjithin por kanë vendosur kushte dhe kufizime.”
Në lidhje me ndryshimet konkrete, Rama sqaroi se ndërhyrjet janë kufizuar ndjeshëm për të mbrojtur zonën natyrore, duke përjashtuar ndërtimet në lagunë dhe eliminimin e projektit për marinë.
“Projekti do të zhvillohet vetëm në prona private me titull pronësie, laguna nuk preket, dhe zhvillimi nuk mund të përfshijë marinë. Ishte në versionin 1 dhe 2 por u hoq.”
Kreu i qeverisë nënvizoi se investitorët janë përballur me kërkesa të forta ligjore dhe standarde të rrepta në raport me projektin.
“Nuk po ju them që investitorët thonë nuk e kemi pritur kurrë që në Shqipëri shteti do të jetë kaq rigoroz dhe pse kanë kërkuar të veprojnë konform ligjit. Duan të investojnë jo të sjellin barcaleta.”
Në përmbyllje, Rama theksoi rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrave natyrorë dhe standardeve mjedisore në çdo fazë të zhvillimit.
“Projekti duhet të ruaje peizazhin natyror cilësinë e habitatit dhe të garantojë proceset ekologjike të habitatit”, tha ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



