E hënë, 26 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama thërret drejtuesit e PS në takimin e papritur te Vila e Kuqe
Lajme

Rama thërret drejtuesit e PS në takimin e papritur te Vila e Kuqe

Edi Rama rikthen sot në axhendën politike mbledhjet me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste. Kryeministri dhe kreu i PS-së do të mbledhë në orën 12:00 drejtuesit politikë në Vilën e Kuqe në Sauk, në një tjetër takim që vjen pas një serie diskutimesh intensive gjatë javëve të fundit.

Në fokus të mbledhjes pritet të jenë dy nismat e prezantuara nga Rama, “Besa” dhe “Prania Besnike”, si dhe mënyra se si po zbatohet në terren modeli i ri i komunikimit të strukturave socialiste me qytetarët.

Gjatë javëve të fundit, Rama ka shtuar takimet me drejtuesit politikë, ministrat dhe deputetët e PS-së, duke kërkuar një përfshirje më të drejtpërdrejtë të strukturave partiake në kontaktet me qytetarët.

Një prej takimeve kryesore u zhvillua më 23 gusht në Pogradec, ku Rama mblodhi për disa orë të deleguarit politikë, drejtuesit e komisioneve parlamentare dhe deputetët socialistë. Në diskutime u përfshinë edhe “Besa” dhe “Prania Besnike”, së bashku me mënyrën e re të organizimit dhe komunikimit politik.

Më 28 gusht, kryeministri thirri në Vilën e Kuqe ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, ndërsa një ditë më vonë zhvilloi një takim me strukturat socialiste të Tiranës, të deleguarit politikë dhe deputetët e qarkut.

Rama u rikthye te të njëjtat prioritete edhe gjatë mbledhjes së 3 shtatorit me Grupin Parlamentar dhe qeverinë. Në këtë takim, “Besa” dhe “Prania Besnike” u prezantuan sërish si elementë të një qasjeje të re në marrëdhënien e Partisë Socialiste me qytetarët.

Ndërkohë, prej 4 shtatorit ka nisur edhe zbatimi në terren i “Pranisë Besnike”. Deputetëve socialistë u është kërkuar që çdo të premte të zhvillojnë takime me qytetarët, të evidentojnë problematikat e tyre dhe më pas t’i ndjekin këto çështje pranë institucioneve përgjegjëse.

Mbledhja e sotme në Sauk pritet të shërbejë për të analizuar ecurinë e kësaj skeme, por edhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm të strukturave të PS-së në terren.

Seria e takimeve të zhvilluara në një hark të shkurtër kohor tregon gjithashtu përpjekjen e Ramës për të mbajtur nën koordinim të drejtpërdrejtë strukturat politike të partisë dhe për t’i dhënë më shumë rëndësi komunikimit të deputetëve me qytetarët.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.