Rama vijon të intimidojë BKH-në dhe drejtësinë
“Koha për reflektim ndërinstitucional”
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën “X” pas sqarimit zyrtar të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), e cila mohoi se ka pasur përplasje mes hetuesve dhe Gardës së Republikës në ambientet e Kryeministrisë.
Reagimi i kreut të qeverisë erdhi rreth 30 minuta pas deklaratës së BKH-së, e cila hodhi poshtë rrëfimin e bërë më herët nga Rama në podcastin “Flasim”. Në atë episod, kryeministri foli për një situatë ku, sipas tij, tre hetues të BKH kishin refuzuar të dorëzonin armët, duke mos respektuar rregulloren për hyrjen në Kryeministri, një pretendim që BKH e mohoi kategorikisht.
Në reagimin e tij publik, Rama sqaroi se kritika e tij nuk kishte të bënte me armëmbajtjen në vetvete, por me atë që ai e cilësoi si mungesë etike dhe profesionale nga ana e disa anëtarëve të kësaj strukture. Ai theksoi se episodi i përmendur ishte, sipas tij, “më i ëmbli” krahasuar me raste të tjera që, siç u shpreh, tregojnë probleme të trashëguara në funksionimin e drejtësisë së re.
Kryeministri bëri thirrje për një reflektim të thellë dhe ndërinstitucional, duke theksuar se Reforma në Drejtësi duhet të mbrohet dhe të ketë sukses, por pa cenuar liritë, të drejtat dhe funksionimin normal të administratës dhe ekonomisë.
“Nuk mund të lejojmë që kura të kthehet në një problem më të madh se vetë sëmundja”, shkroi Rama, duke nënvizuar nevojën për balancë mes pavarësisë së drejtësisë dhe respektimit të standardeve etike e institucionale.
Postimi:
Qenka përgjigjur publikisht edhe BKH-ja ndaj njërit prej një sërë episodesh të mungesës së etikës profesionale të anëtarëve të asaj trupe, të cilin e ceka sot në podkastin FLASIM, duke folur për simptomat shqetësuese të sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re!
Ata kanë cituar ligjin, sipas të cilit mund të mbajnë patllake, kur në fakt unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë.
Sikur të ishte ky një rast i veçuar, padiskutim që nuk do ta kisha cekur në kuadër të qëndrimit të sotëm mbi simptomat e lartpërmendura, por fatkeqësisht ky ishte më i ëmbli i episodeve që munda të gjej, për trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale – thënë kjo shumë ëmbëlsisht për këtë pjesë të problematikës së sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re.
Gjithësesi, po e përsëris, ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur të nga ujërat e pistë, në një proces historik ku duhet të garantojmë suksesin e Reformës në Drejtësi, duke garantuar medoemos pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë që kura te bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë e të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



