Kryeministrit me referendum? Berisha shpik formulën e re për t’u rikthyer në pushtet
“Nuk bëhem kryeministër nëse fitoj zgjedhjet”
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka propozuar një mënyrë alternative për përcaktimin e kryeministrit në rast se opozita fiton zgjedhjet parlamentare. Ai deklaroi se fitorja e PD-së nuk do të thotë automatikisht se ai do të marrë drejtimin e qeverisë, pasi kandidaturën e tij kërkon t’ia nënshtrojë një votimi të veçantë popullor.
“Një gjë kam deklaruar, se unë kryeministër nuk bëhem pse fitoj zgjedhjet. Jo. Bëhem kryeministër me referendum. Po fitova zgjedhjet, do votojnë edhe njëherë shqiptarët për kryeministrin”, u shpreh Berisha gjatë një interviste në emisionin “Çdo kënd” në A2 CNN.
Sipas tij, votimi mund të zhvillohet mes tre ose katër kandidaturave, ndërsa pretendon se për zbatimin e kësaj formule nuk do të ishte e nevojshme të ndryshohej Kushtetuta.
“Një gjë kam deklaruar, se unë kryeministër nuk bëhem pse fitoj zgjedhjet. Jo. Bëhem kryeministër me referendum. Po fitova zgjedhjet, do votojnë edhe njëherë shqiptarët për kryeministrin”, deklaroi kreu i PD-së.
Propozimi i Berishës hap diskutimin mbi mënyrën se si do të ndërthurej një votim i tillë me procedurën kushtetuese për emërimin e kreut të qeverisë. Neni 96 i Kushtetutës përcakton se Presidenti emëron kryeministrin me propozimin e partisë ose koalicionit që ka shumicën e vendeve në Kuvend. Një referendum për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit nuk parashikohet shprehimisht në këtë procedurë. Berisha nuk dha hollësi se si do të harmonizohej mekanizmi i propozuar me këtë dispozitë.
Gjatë intervistës, ai foli edhe për mundësinë e një fitoreje të opozitës në zgjedhje, duke pretenduar se rezultati do të ishte në favor të saj nëse procesi zhvillohet pa Edi Ramën në pushtet.
“Në kushte të lira, sot opozita fiton zgjedhjet nëse zgjedhjet bëhen brenda një muaji pa Edi Ramën”, deklaroi Berisha.
Një tjetër qëndrim i përsëritur prej tij ishte propozimi për kufizimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate. Berisha e lidhi këtë ide me mungesën e rotacionit politik në vend që prej vitit 2013.
“Jam, sepse nga viti 1990-2013 ka ndodhur 4 rotacione. Nga 2013 deri më sot asnjë rotacion, sepse në Shqipëri rotacionin e lejon krimi i organizuar me Edi Ramën”, u shpreh ai.
Megjithatë, kreu demokrat nuk paraqiti një skemë konkrete për organizimin e referendumit, mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve apo raportin e rezultatit të tij me procedurën kushtetuese të formimit të qeverisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



