E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ranë në greminë te Kanionet e Gjipesë, shpëtohen 4 turistët polakë
Lajme

Ranë në greminë te Kanionet e Gjipesë, shpëtohen 4 turistët polakë

Katër turistë polakë janë shpëtuar pas një operacioni të ndërlikuar kërkim-shpëtimi që zgjati rreth 8 orë në zonën e Kanioneve të Gjipesë, në Himarë.

Ngjarja u regjistrua mesditën e së dielës, kur autoritetet u njoftuan se katër shtetas të huaj, gjatë eksplorimit të terrenit të thepisur, kishin rrëshqitur në një zonë të rrezikshme shkëmbore. Si pasojë e incidentit, njëri prej tyre mbeti i plagosur dhe kishte nevojë për ndërhyrje të menjëhershme.

Menjëherë pas marrjes së sinjalit, strukturat vendore të Policisë nisën operacionin për lokalizimin dhe evakuimin e turistëve, në kushte të vështira terreni dhe me rrezik të lartë për jetën. Për shkak të situatës, në operacion u përfshinë disa struktura të specializuara, përfshirë forcat speciale, efektivë të policisë lokale dhe rajonale, alpinistë, zjarrfikës dhe një ekip mjekësor.

Në mbështetje të operacionit u angazhua edhe një helikopter ushtarak, por për shkak të kushteve të terrenit dhe pamundësisë për ndërhyrje ajrore në zonën ku ndodheshin turistët, operacioni vijoi vetëm nga toka.

Pas orësh të tëra kërkimesh intensive dhe ndërhyrjeje të koordinuar, ekipet arritën të evakuonin turistët në grupe, duke përfunduar me sukses operacionin rreth mesnatës.

Turisti i plagosur mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa tre të tjerët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Pas shpëtimit, turistët shprehën mirënjohjen e tyre për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin e treguar nga të gjitha strukturat e përfshira në operacion, duke vlerësuar përkushtimin dhe sakrificën për shpëtimin e jetëve të tyre.

Njoftimi:

Kanionet e Gjipesë/8 orë përpjekje intensive të Policisë dhe shërbimeve të tjera, në një terren të thepisur dhe me rrezik për jetën, për të lokalizuar dhe shpëtuar 4 turistë polakë.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit, të shtrirë dhe gjatë orëve të natës, u angazhuan shërbimet e DELTA Forcës, Policisë së Himarës dhe DVP Vlorë, si dhe helikopteri i Forcave të Armatosura, alpinistë, zjarrfikës dhe ekip mjekësor.

Pas njoftimit, mesditën e djeshme, se 4 turistë polakë, gjatë eksplorimit të kanioneve të Gjipesë, kishin rënë në një greminë dhe si pasojë, njëri prej tyre ishte dëmtuar, shërbimet e Policisë vendore, si pasojë e terrenit të thepisur dhe nevojës imediate për t’iu shkuar në ndihmë turistëve, nisën menjëherë kërkimet për lokalizimin dhe evakuuimin e tyre.

Për shkak të terrenit shumë të vështirë, në këtë operacion kërkim-shpëtimi, në ndihmë të shërbimeve të Policisë vendore, u angazhuan shërbimet e DELTA Forcës, helikopteri i Forcave të Armatosura, alpinistë të zonave të mbrojtura, zjarrfikës dhe ekip mjekësor.

Helikopteri i Forcave të Armatosura nuk mundi të futej në vendin ku ndodheshin turistët dhe operacioni vijoi nga shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe alpinistët.

Pas shumë kërkimesh dhe përpjekjesh intensive, turistët u evakuuan 2 nga 2 dhe rreth mesnatës, përfundoi me sukses operacioni për kërkim-shpëtimin e tyre.

Turisti i dëmtuar mori menjëherë ndihmën e nevojshme nga ekipi mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërkaq 3 turistët e tjerë u evakuuan në gjendje të mirë shëndetësore.

4 turistët polakë falënderuan Policinë dhe të gjitha njësitë e tjera të angazhuara për përgjigjen e menjëhershme ndaj sinjalit të tyre për ndihmë, si dhe për sakrificën dhe angazhimin e specializuar dhe human për shpëtimin e jetëve të tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.