Raporti i DASH: Korrupsioni në Shqipëri, i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes

Raporti i DASH për Shqipërinë nënvizon se nuk ka pasur ndryshime të konsiderueshme në situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë vitit 2023.

Në raport thuhet se qeveria ndërmori hapa të besueshëm për të identifikuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut.

Lidhur me korrupsionin, Departamenti i Shtetit vë në dukje se në përgjithësi qeveria e Shqipërisë e zbatoi në mënyrë efektive legjislacionin që parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët publikë dhe që ndalon individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, deputetë ose në poste të tjera qeveritare ose shtetërore, megjithatë thotë se pati raportime të shumta për korrupsion në qeveri.

“Korrupsioni ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë përmes prokurimeve publike dhe partneriteteve publike-private, megjithëse autoritetet bënë përparim gjatë vitit në luftën kundër korrupsionit dhe drejt dhënies fund të mosndëshkimit”, thuhet në raport.

DASH- përmend arrestimet e nivelit të lartë nga SPAK-u dhe dënimet për raste korrupsioni, përfshirë dënimet për korrupsion dhe shpërdorim detyre të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretarit të tij të Përgjithshëm Alqi Bllako.

“Në korrik SPAK-u lëshoi një urdhër-arresti ndërkombëtar për ish-zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Financave (dhe deputet i Partisë Socialiste) Arben Ahmetaj. Ai u largua nga vendi pasi parlamenti pranoi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Ahmetajt që ai të mund të arrestohej me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie”, thuhet në raport.

Në raport përmendet gjithashtu rasti i ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Në tetor, SPAK njoftoi se po hetonte zyrtarisht ish-kryeministrin Sali Berisha për korrupsion pasiv lidhur me një marrëveshje toke nga e cila dhëndri i tij përfitoi rreth 5 milionë dollarë. SPAK arrestoi dhëndrin e Berishës, urdhëroi Berishën të paraqitej rregullisht në policinë gjyqësore dhe i ndaloi daljen nga vendi”, thotë DASH-i.

Po ashtu Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit njoftoi se deri në muajin gusht kishte referuar gjashtë çështje të reja për ndjekje penale, ku përfshihej një deputet, një prokuror, tre drejtorë në agjencitë qeveritare dhe një administrator në një kompani qeveritare. Akuzat përfshinin refuzimin e deklarimit të pasurisë, fshehjen e pasurisë ose falsifikimin e deklaratave të pasurisë; Pastrim parash; dhe evazion fiskal.

Duke folur për korrupsionin në policor, raporti thotë se vazhdoi të ishte problem, sidomos mes oficerëve të policisë së vijës së parë.

Pavarësia e gjyqësorit

“Megjithëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.

DASH shton më tej se vazhdoi zbatimi i procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurororët, në mënyrë që të përjashtoheshin nga sistemi ata që kishin pasuri të pashpjegueshme, ose lidhje me krimin e organizuar.

“Avokati i Popullit vlerësoi se gjyqësori kishte bërë përparim drejt krijimit të një sistemi më të pavarur, por shtoi se nevojiteshin më shumë burime”, thotë raporti.

Sipas raportit sistemi gjyqësor po bëhet më i pavarur falë procesit të vetingut dhe veprimeve të SPAK-ut, megjithatë vihet në dukje se qytetarët janë ankuar për mungesë transparence në hetime, zvarritje të konsiderueshme të proceseve dhe vendime të padrejta gjyqësore.

Departamenti i Shtetit thotë se megjithëse kushtetuta dhe ligji parashikojnë të drejtën për një gjykim të drejtë dhe publik, dhe se gjyqësori në përgjithësi e zbatoi këtë të drejtë…

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit vuri në dukje se çështjet e prapambetura të grumbulluara, vendet vakante në gjyqësor dhe mungesa sistematike e efikasitetit, minuan besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thuhet në raport.

Shumica e ankesave nga qytetarët kishte të bënte me mungesën e përgjigjes nga organet qeveritare ndaj shqetësimeve të tyre, shkeljet e procesit të rregullt ligjor, gjykimet dhe dënimet e padrejta.

Në raport përmenden shqetësimet për proceset gjyqësore administrative lidhur me padinë e ngritur nga Fondacioni Gulistan për mbylljen e shkollës së mesme të vajzave “Mehmet Akif Ersoy” dhe kopshtit të fëmijëve “Zubeyde Hanim” në vitin 2022.

DASH thotë se Komiteti Shqiptar i Helsinkit vërejti se “palët nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë gjatë gjykimit” dhe se kishte pikëpyetje në lidhje me paanshmërinë e gjyqtarëve.

Publikuar nga Publik Media