Raporti i KLSH: Mjedisi në Tiranë po degradon me shpejtësi, s’ka më vend as për pemë
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, vlerëson se mjedisi në Tiranë po degradon me ritme të shpejta. Projekti i gjelbërimit të propaganduar nga kryebashkiaku i kryeqytetit, Erion Veliaj, nuk është realizuar sipas raportit. Në të njëjtën kohë, raporti thekson mungesën e kapaciteteve financiare dhe logjistike nga ana e bashkisë për projektin “Qyteti i Gjelbër”. Raporti gjithashtu evidenton rritjen e zhvillimeve të pakontrolluara urbane dhe uljen e hapësirave të gjelbra në Tiranë. Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon marrjen e masave për të përmirësuar situatën në territorin e bashkisë.
Në shifra krahasuese, raporti i hapësirave të hapura të gjelbra për 100,000 banorë është shumë i ulët, 0.46m2 /banor, që sipas KLSH-së, është i papërfillshëm krahasuar me normën minimale të parashikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë prej 9m2 /banor dhe njësoj e papërfillshme krahasuar me vendet e rajonit.
Sipas KLSH-së, Tirana po shënon një rritje të pakontrolluar të popullsisë dhe vendbanimeve informale. Nëse nuk kontrollohet, vëren raporti, -“rritja e qytetit mund të marrë formën e një shtrirjeje të vazhdueshme urbane, duke shkaktuar rritjen e shpenzimeve të infrastrukturës, zgjatjen e kohës së udhëtimit të përditshëm, shkatërrimin e mjedisit natyror dhe zonave bujqësore prodhuese, si dhe rritjen e përgjithshme të konsumimit të energjisë dhe karburantit për transport”.
Në këtë kontekst, KLSH shton se bashkia e kryeqytetit ende nuk ka politika për uljen e zhvillimeve të pakontrolluara urbane.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



