Raporti/ Sistemi i sigurisë në Aeroportin e Rinasit i falimentuar që nga testet e 2016-tës
Grabitja spektakolare në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, duket se ishte një ngjarje e paralajmëruar.

Jo më shumë se dy muaj para grabitjes së 30 qershorit 2016, sistemi i sigurisë së Aeroportit ishte testuar nga Aviacioni Civil dhe Policia e Shtetit. Tri teste të kryera më 20 prill të vitit 2016, nxorën zbuluar sistemin e sigurisë, pasi u kuptua se në terminal e deri në pistë mund të futeshin lehtësisht objekte të jashtëligjshme. Këto teste nxorën në dritë skandalin, pasi u provua se në Aeroport mund të futeshin lehtësisht, jo vetëm objekte të vogla të ndaluara, por edhe lëndë eksplozive. Testimi i parë u krye për futjen e eksplozivit, i dyti për futjen e armëve të ftohta dhe i treti kishte të bënte me çarjen e rrethimit të pistës, pra perimetrit të jashtëm të aeroportit.
Në të tri këto testimi, siguria ka dështuar, pasi objektet kanë kaluar detektorët pa u diktuar nga askush. Madje, testi i tretë, që kishte të bënte me çarjen e perimetrit të jashtëm, është realizuar pikërisht në vendin ku u fut makina e grabitësve ditën e enjte. Testimet e fshehta u organizuan dhe u drejtuan nga ana e Drejtorisë së Mbikëqyrjes së Sigurisë në Aviacion, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë në Rinas.
“Testimi i fshehtë u mbajt më datë 20 prill 2016, nga ora 10:15 deri në 11:15 në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Ky raport i është dorëzuar aeroportit dhe Ministrisë së Transporteve më 13 maj dhe kërkohej të merreshin masa të menjëherëshme brenda 10 ditësh, pasi ishte konstatuar se sigurua në pistë ishte lehtësisht e cenueshme dhe në këto kushte po bërballeshin me një alarm sigurie.
TESTIMI I PARË
Testimi i parë ka kaluar pa u vërejtur nga ana e stafit të sigurisë në pikën e kalim-kontrollit për pasagjerët, në terminalin e aeroportit, para hyrjes në zonën e kufizuar të sigurisë. Testuesja që do të udhëtonte si pasagjere e kishte fshehur artikullin e ndaluar në bagazhin e dorës dhe në tentativë arriti ta kalonte kontrollin e sigurisë pa u diktuar. U vërejt se bagazhi i dorës u kontrollua sipas procedurës me anë të skanerit me rreze X. Nga ana e agjentit të skanerit nuk pati asnjë reagim apo dyshim për asnjë nga objektet testuese të fshehura në bagazhin e dorës. Bagazhi u konsiderua i pastër dhe u lejua të kalonte.
TESTIMI I DYTË
Testimi i dytë ka kaluar pa u vërejtur nga ana e stafit të sigurisë në pikën e kalim-kontrollit për ekuipazhin dhe stafin. Në terminalin e aeroportit, para hyrjes në zonën e kufizuar të sigurisë, testuesja, teksa u paraqit me fletëhyrje të rregullt si staf i AAC, e kishte fshehur artikullin e ndaluar në njërën nga këpucët e saj dhe në tentativë, arriti ta kalojë kontrollin e sigurisë pa u diktuar. U vërejt se testuesja kaloi VVTMD sipas procedurës dhe meqenëse ura dha sinjal alarmi, iu nënshtrua kontrollit me dorë, i cili u krye në përputhje me procedurat e sigurisë.
Më pas, agjenti i sigurisë ka përdorur edhe detektorin e dorës, i cili dha sinjal alarmi te pjesa e këpucës së testueses. Por, edhe pas këtij kontrolli, testuesja u konsiderua e pastër dhe u lejua të kalonte në kundërshtim me procedurën, që kërkon zgjidhjen e shkakut të alarmit. Testi i tretë është bërë pikërisht në pikën ku grabitësit u futën me makinë, me ndihmën edhe të stafit brenda.
TESTIMI I TRETË
“Përpjekja për të kaluar nga zona publike në zonën e kufizuar të sigurisë në aeroport, nga rrethimi i pistës në anën perëndimore, në afërsi të stacionit të furnizimit me karburant. Testimi i tretë ka kaluar pa u vërejtur nga ana e stafit të sigurisë në shërbim të ruajtjes dhe patrullimit si dhe nga operatorët në sallën e kamerave. Testuesi, artikujt e ndaluar i përdori për mbi 10 minuta në tentativën e tij për të realizuar hyrje të paautorizuar nëpërmjet rrethimit të aeroportit, në zonën ajrore në afërsi të stacionit të furnizimit me karburant të avionëve.
Patrullat e shërbimit në lëvizje dhe sistemi i vëzhgimit me kamera përgjatë rrethimit të sigurisë së perimetrit dështuan në diktimin e tentativës për hyrje të paautorizuar. Për më tepër, u mësua se 2/3 e kamerave të vëzhgimit ishin prej disa ditësh jashtë funksionimit, në kundërshtim me kërkesat e shtojcës 25 të ligjit nr. 9312”, përshkruhet në raport.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



