Reagimi i fortë i ‘neomalësores’, Hita: Koçeku nuk ka bërë kallëzim
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka sqaruar se deputetja Marjana Koçeku nuk ka depozituar asnjë kallëzim zyrtar pranë organeve të policisë, pas deklaratave të saj publike lidhur me kërcënime të mundshme nga një grup kriminal në Shkodër.
Në një prononcim për mediat, Hita theksoi se institucionet e rendit kanë detyrim ligjor për të garantuar sigurinë e çdo qytetari, duke shtuar se çdo rast trajtohet mbi bazën e nivelit të rrezikut dhe informacionit konkret të disponueshëm.
“Policia është në mbrojtje të jetës dhe pronës së çdo qytetari. Vlerësimi për masat e sigurisë bëhet në varësi të kërcënimit, por deri më tani nuk ka një denoncim konkret të regjistruar”, u shpreh ai.
Ndërkohë, reagimet publike ndaj deputetes Koçeku kanë vijuar, sidomos pas largimit të saj nga Partia Socialiste dhe kalimit në status të pavarur. Në një tjetër reagim në rrjetet sociale, ajo i është drejtuar drejtpërdrejt një familjeje në Shkodër, duke lënë të kuptohet se të afërmit e saj janë vënë nën presion.
Në mesazhin e publikuar në Facebook, Koçeku paralajmëron se do të reagojë ashpër nëse familjarët e saj preken, duke e shoqëruar deklaratën me tone të forta dhe paralajmëruese.
Zhvillimet e fundit kanë rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë së zyrtarëve publikë dhe raportin mes politikës dhe grupeve kriminale, ndërsa pritet nëse do të ketë hapa konkretë institucionalë në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



