Reagon Basha: Kurrë financim të huaj dhe aq më pak rus, krenarë për partneritetin me SHBA!
Pas shkrimit të Zërit të Amerikës për financimet e Rusisë ndaj forcave politike të ndryshme, ku përveç të tjerave përmendej edhe rasti i vitit 2017 për Partinë Demokratike, ka ardhur edhe reagimi i Kryetarit të dorëhequr Lulzim Basha.
Sipas tij, PD nuk ka marrë kurrë financime të huaja dhe aq më pak ruse. Basha thekson se, “jemi krenarë për partneritetin strategjik me SHBA dhe përkrah aleatëve euro- atlantik”.
“Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus. Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja. Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shkruan Basha në Twitter.
Kujtojmë se Zëri Amerikës shpërndau së fundmi një shkrim i cili I referohej një burimi të qeverisë amerikane, për një shumë prej 300 milion dollar që Rusia ka shpërndarë për parti politike nëpër botë. Mes të tjerave citohet edhe rasti i një lobimi të Partisë Demokratike në SHBA në vitin 2017, i cili u kthye në çështje dhe më pas në një hetim të hapur dhe të mbyllur në Shqipëri..
“Në një artikull të gjatë hulumtues rreth këtyre pagesave për Muzin Capitol, revista amerikane Mother Jones ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë. Në deklarimet e firmës Muzin për Departamentin e Drejtësisë thuhet se pagesa ishte bërë nga Partia Demokratike. Megjithatë shifra prej 500 mijë dollarësh figuron në kontratën me Biniattën dhe jo me PD-në, sipas Mother Jones”, citn shkrimi I VOA rastin.
Ndërkohë këtu në Shqipëri menjëherë pas publikimit të këtij artikulli një pjesë e Rithemelimit brenda Partisë Demokratike, ka shpërthyer në entuziazëm të paparë, duke përqëndruar bateritë e sulmit drejt Lulzim Bashës dhe duke “harruar” se betejën e kanë me Edi Ramën.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



