Reagon KLGJ për tritolin në banesën e gjyqtarit në Shkodër: Dënojmë aktin kriminal

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka reaguar pas shpërthimit me tritol në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj.

KLGJ dënon aktin kriminal dhe shprehet se kjo ngjarje përcjell shqetësim dhe cenojn rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për të gjithë shoqërinë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i bën kërkesë policisë të hetojë, zbardhë ngjarje dhe të nxjerrë para përgjegjësisë autorët.

KLGJ i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve.

“Duke marrë shkas nga informacionet e përcjella nga media e shkruar dhe vizive si edhe bazuar në informacionin paraprak të Policisë, ditën e sotme lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e magjistratit z. Tonin Sterkaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Këshilli i Lartë Gjyqësor përcjell shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës”, thuhet në reagimin e KLGJ.

Gjyqtarit të Shkodrës Tonin Sterkaj, iu vu mëngjesin e sotëm një sasi tritoli në banesë. Sipas policisë, vënia e sasisë së lëndës plasëse në shtëpinë e tij është e qëllimshme.

Deri më tani nuk ka persona të dyshuar, por referuar pamjeve të kamerave të sigurisë, shihet një person që vjen në këmbë lë sasinë e lëndës plasëse dhe po ashtu largohet po në këmbë përmes rrugicave. Hetuesit janë përqendruar në verifikimin e kamerave të sigurisë në një rreze më të largët për të lokalizuar autorin.

Lidhur me ngjarjen, Tonin Sterkaj u shpreh se nuk ka dijeni se kush mund të jetë autori. Gjatë dëshmisë së tij, gjyqtari tha se ka qenë me bashkëshorten në banesë kur ka dëgjuar shpërthimin. Ai tregon se ka dalë në ballkon, por pa e ditur se tritoli ishte vendosur në derën e tij. Ka qenë komshia ajo që e ka njoftuar dhe më pas ka kuptuar se eksplozivi ishte vendosur në banesën e tij.

Tonin Sterkaj ushtron prej shumë vitesh detyrën e gjyqtarit në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër ndërsa për një periudhë dy vjeçare ka punuar edhe si gjyqtar në gjykatën e Apelit të Shkodrës. Më pas, u kthye si gjyqtar në Gjykatën e Shkalles se Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Publikuar nga Publik Media