E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Rebelohen’ demokratët, shkruajnë emrin e Salianjit në fletët e votimit
Lajme

‘Rebelohen’ demokratët, shkruajnë emrin e Salianjit në fletët e votimit

Në një proces që nisi si votim formal dhe përfundoi në një shfaqje të pazakontë politike, demokratët iu drejtuan sot kutive për të “zgjedhur” kryetarin e tyre për katër vitet e ardhshme. Në letër, gara është inekzistente: vetëm një emër, ai i Sali Berishës. Në realitet, ajo që po ndodh në terren tregon një histori tjetër.

“Referendum” apo farsë? Kutia po flet ndryshe

Berisha e ka cilësuar këtë proces si një “referendum” për besimin ndaj tij. Por ironia është e fortë: një sfidë pa rival, një garë pa alternativë, një proces që ruan formën, por jo përmbajtjen klasike të konkurrencës demokratike.

Ndërkohë, nga degët në të gjithë vendin po qarkullojnë dhjetëra foto dhe dëshmi që tregojnë një fenomen të pazakontë: anëtarë të Partisë Demokratike po refuzojnë të votojnë sipas formatit të paracaktuar, duke shkruar me dorë në fletën e votimit emrin e Ervin Salianji – edhe pse ai nuk figuron si kandidat.

Në shumë raste, zgjedhja nuk po shënohet te “Pro”, “Kundër” apo “Abstenim”, por po transformohet në një akt simbolik kundërshtie.

Salianji: “Demokratët po refuzojnë farsën”

Vetë Ervin Salianji ka reaguar publikisht, duke e lexuar këtë fenomen si një sinjal të fortë politik:

“Po më vijnë qindra mesazhe dhe foto nga demokratë që, përmes votës, shkrimit të emrit apo refuzimit të farsës, po tregojnë se Partia Demokratike nuk është pronë personale.”

Ai falënderon mbështetësit nga i gjithë vendi – nga Shkodra në Gjirokastër – duke e cilësuar këtë si një reagim dinjitoz ndaj një procesi që, sipas tij, ka përjashtuar garën dhe alternativën.

Reagimi i plotë i Ervin Salianjit:

Falenderim dhe mirënjohje për çdo demokrat që sot ka zgjedhur të shënojë qartësisht preferencën e tij.
Po më vijnë qindra mesazhe dhe foto nga demokratë që, përmes votës, shkrimit të emrit apo refuzimit të farsës, po tregojnë se Partia Demokratike nuk është pronë personale. Ju jam mirënjohës secilit nga Shkodra në Korçë, Vlore, Kukës, Fier, Dibër, Elbasan, Gjirokastër, Berat, Lezhe, Durres e Tiranë. Nga çdo degë po vërshojnë reagimet dhe fotot e fletes se votimit!
Falenderim edhe për mijëra demokratë të tjerë që e kanë braktisur dhe përbuzur farsën e uzurpimit të Partisë Demokratike për interesa personale.
Kur gara vritet, kur alternativa përjashtohet dhe kur vula përdoret për të mbajtur peng opozitën, demokratët dinë të reagojnë me dinjitet.
Këto mesazhe janë më shumë se mbështetje personale. Janë një refuzim i frikës, i imponimit dhe i shndërrimit të PD-së në një strehë për interesa personale!
Ne nuk dorëzohemi.
Do ta çmontojmë këtë farsë me kurajo, me demokratë të lirë dhe me besimin se Partia Demokratike do t’u kthehet anëtarëve dhe qytetarëve.

Votim apo protestë e heshtur?

Procesi ka nisur në orën 08:00 dhe mbyllet në 18:00, me numërimin që këtë herë bëhet në vend. Rezultati pritet të dalë brenda mbrëmjes, por një gjë duket se ka dalë që tani në pah: kutitë nuk po mbushen vetëm me vota, por edhe me mesazhe.

Në sfond, qëndron një realitet i fortë politik: Komisioni i Zgjedhjeve në PD përjashtoi çdo alternativë gare, duke e kthyer procesin në një rrugëtim pa rivalë. Por reagimi i anëtarëve po tregon se mungesa e emrave në fletë nuk do të thotë domosdoshmërisht mungesë zgjedhjeje.

Një parti, dy realitete

Nga njëra anë, lidershipi që kërkon konfirmim. Nga ana tjetër, një bazë që kërkon përfaqësim.

Sot, në vend të një gare klasike, Partia Demokratike po përjeton një moment që mund të përkufizohet si përplasje mes kontrollit dhe revoltës së heshtur.

Dhe ndoshta, për herë të parë, beteja më e fortë nuk po zhvillohet mes kandidatëve… por mes asaj që është shkruar në fletë dhe asaj që po shkruhet mbi të.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.