Rekordi historik/Borxhi publik i Shqipërisë arrin 8.3 mld euro
Sipas statistikave të Financave, vetëm në tre muajt e parë të vitit borxhi publik është rritur me 200 milionë euro, ndërsa në raport me fundin e 2016-ës, ai është shtuar me me mbi gjysmë miliardi euro.
Borxhi publik i Shqipërisë u rrit me ritme galopante në katër vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, krahasuar me vitin 2013 borxhi publik është rritur me 2 miliardë euro, si rezultat i huamarrjes rekord veçanërisht në vitet 2013-2015.
Qeveria e justifikoi rritjen e borxhit me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj bizneseve private. Madje sapo erdhi në pushtet ajo rriti taksat me 350 milionë euro, një sakrificë që sipas saj ishte e nevojshme për të ulur borxhin e lartë publik.
Por të dhënat tregojnë se, ndonëse taksat janë rënduar ndjeshëm, borxhi publik i vendit jo vetëm që nuk është ulur sipas programit, por qëndron në nivele të rrezikshme për ekonominë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e kanë cilësuar borxhin e lartë si rrezikun më të madh për ekonominë shqiptare. Në vitin 2014, kur qeveria nënshkroi marrëveshjen me FMN-në, u ra dakord për një program të detajuar për uljen e borxhit dhe rikthimin e tij në 60 për qind e prodhimit kombëtar brenda vitit 2018.
Por programi më FMN-në dështoi. Qeveria i ndryshoi objektivat për uljen e borxhit, duke i krijuar vetes më shumë hapësira për të marr hua dhe për të shpenzuar duke e lënë vendin para një mali të madh borxhesh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



