Rektorët kundër ligjit “Gjinushi” për Akademinë e Shkencave: Duhet reformë reale. Cenon universitetet dhe…
Debati, që në nisje, evidentoi disa nga ngërçet e projektligjit të propozuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Rektori i universitetit “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër, Adem Bekteshi, u shpreh se bashkëpunimet nuk janë në nivel të barabartë, sikundër ndodh me institutet.
“Në këtë projektligj, Akademisë i është lënë rol parësor, ndërkohë që universitetet duhet të kenë po ashtu një rol të rëndësishëm”, u shpreh rektori. Po ashtu, Bekteshi kontestoi delegimin e gradave shkencore nga universitet në Akademi. Sipas tij, një zgjidhje e tillë nuk është e drejtë, pasi janë universitetet që përgatisin akademikët e ardhshëm.
“Në gjithë këtë kanë përparësi të rinjtë që përfshihen në kërkimin shkencor. Akademikët nuk janë pjesë e senateve. Përse nuk barazohen universitetet me Akademinë në rastin e kërkimit shkencor? Akademia futet në universitete, por nuk është pjesëmarrëse në hartimin e planeve kërkimore shkencore. Duhet ta dimë, që nëse ne në nivelin e tretë përgatisim doktorantët dhe këtë nivel e udhëheq Akademia, cili do ishte roli i universiteteve? Në ligj duhet të futet fryma e bashkëpunimit. Nuk quhet hapje e Akademisë nëse futen duart tek autonomia e arsimit të lartë. IAL-et duhet të jenë të barabarta me Akademinë”, tha Bekteshi.
Rektori i universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan, Skënder Topi, nënvizoi rëndësinë e këtij projektligji jo vetëm në arenën kombëtare, por edhe atë ndërkombëtare. “Kërkimi shkencor nuk është synim i këtij projektligji, prandaj Akademia duhet të bashkëpunojë me IAL-et. Jam pro një projektligji që reformon Akademinë e Shkencave, por kurrsesi me një ligj që cenon ligjin ‘Për arsimin e lartë’. Pra, që Akademia të funksionojë sa më mirë, duhet të funksionoj së bashku me institucionet e arsimit të lartë”, u shpreh Topi.
Prevalimin e Akademisë mbi projektligjet e ceku gjithashtu zëvendësrektori i Universitetit Bujqësor, Sulejman Sulçe. “Akademia është munduar të përcaktojë se çfarë merr përsipër projektligji për të udhëhequr kërkime të veçanta. Duhet që disa nga nenet të modifikohen e t’i jepet vendi që ka Akademisë së Shkencave në universitete. Mandati i akademikëve të rinj mbaron në moshën 42 vjeç, por mendoj se duhet të jetë 40, që të mos ketë aludime”, tha Sulçe.
Po ashtu zëvendësrektori i UBT-së, tha se edhe në vendet lindore ka akademi, të cilat përfshijnë një rrjet të gjerë të institucioneve. “Ndërsa, në këtë rast, Akademia i ka përjashtuar të gjitha”. Në lidhje me përdorimin e parave publike, Sulçe tha se është e domosdoshme gjetja e shembujve konkretë.
Rishikimin e neneve të veçanta të këtij projektligji e kërkoi gjatë diskutimit edhe zëvendësrektorja e universitetit “Eqerem Çabej”, në Gjirokastër, Valbona Duri. “Paraqitej mjaft i domosdoshëm reformimi i Akademisë së Shkencave. Ky projektligj kërkon ripërtëritjen e Akademisë me pranimin e anëtarëve më të rinj, duke mos përfshirë më kategorinë e akademikëve të përjetshëm. Projektligji prek liritë e universiteteve. Që të jetë vërtet një institucion i hapur me IAL-et, duhet të rishikohen pjesë të veçanta të këtij projektligji që të kemi një bashkëpunim frytdhënës”, u shpreh Duri. Ndërsa zëvendësrektori i universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, Sokol Banaj, u shpreh se: Ndryshimet janë diskutuar, por duke parë projektligjin, kuptojmë se Akademia vetëreformohet pa pasur nevojë për komisionet parlamentare. Ka një hapje, por duhet të dëgjohet edhe zëri i profesorëve. Ky projektligj është përmirësim i ligjit aktual. Ndoshta ka nevojë që të rishikon vetëm institutet”.
SOKOLI: KY PROJEKTLIGJ NUK KA AFËRSI AS ME MODELIN MË TË AFËRT, SIÇ ËSHTË KOSOVA!
Zëvendësrektori i universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Lekë Sokoli, që në krye të fjalës la të kuptohet se një diskutim i tillë, ku të merrej parasysh mendimi i Rektoratit duhet të ishte bërë më herët. Mandej, ai theksoi faktin se efektet dhe pritshmëritë e projektligjit të propozuar nga Akademia duhet të kishin tregues të matshëm e të bënin të qarta risitë, që shmangnin pasojat e projektligjit të viteve ’94, ’98, 2004 etj.. “Thuhet se kjo përpjekje do ta ridimensionojë Akademinë, por s’më duket e vërtetë! Midis reformës së vitit 2007 dhe kësaj, është edhe ligji “Për arsimin e lartë”. Ky ‘reformim’, apo më saktë kjo qasje ndaj shkencës dhe kërkimit shkencor ka bërë thuajse të pamundur kërkimin shkencor në Shqipëri. Të dhënat flasin vetë; për nga financimi i kërkimit shkencor, Shqipëria është ndër vendet e fundit në botë. Maqedonia financon 12 herë më shumë për kërkimin shkencor, ndërsa Serbia 30 herë më shumë. Ndërsa në vendet e BE-së shpenzojnë për kërkimin shkencor, mesatarisht 70 herë më shumë se Shqipëria. Këto të dhëna janë gjithnjë në raport me GDP-në. Thuhet se ky projektligj nuk sjell ndryshime në lidhje me buxhetin, por Akademia e Shkencave thith rreth ¼ e fondit të kërkimit shkencor”, u shpreh zëvendësrektori.
Sokoli tha se projektligji i propozuar, nuk ka afërsi as me modelin më të afërt, që është Kosova. “Ligji i ri i Akademisë së Shkencave të Kosovës është krejtësisht i ndryshëm me ligjin që ne pretendojmë sot. Nuk e kuptoj këtë ngutje, ligji i vjetër thotë të njëjtën gjë. Skënder Gjinushin nuk e pengoi ligji i vjetër për t’u bërë kryetar Akademie. Le të vazhdojë, por të merremi me një reformë reale”, u shpreh Sokoli, duke shtuar se ligji është diktuar vetëm formalisht në Institucionet e Arsimit të Lartë dhe se dy draftet, në thelb, nuk kanë ndryshime të mëdha, pasi i mëshojnë një akademie horonifike. Sipas zëvendësrektorit, reforma, që na propozohet përmes këtij projektligji, nuk përkon me asnjë nga modelet e botës së sotme. Sepse sot, kudo në botë, kërkimi shkencor është përqendruar në institute të specializuara që merren më ekskluzivisht me kërkim shkencor.
“Gjermania dhe Franca janë shembuj, ku kërkimi i mirëfilltë shkencor bëhet në institute dhe qendra që kërkimin e kanë detyrë të vetme. I tillë është institute Max-Plank në Gjermani, me mbi 100 institute në juridiksionin e vet. Ndërsa në Francë institutet e shumtë që lëvrojnë në kërkimin shkencor në fusha të ndryshme, nga kozmonautika te etnomuzikologjia, janë përfshirë në Qendrën Kombëtare të Kërkimit Shkencor”, shprehet Sokoli.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



