Revolta/ BE reagon për dhunën ndaj studentëve në Tiranë
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka reaguar pas përshkallëzimit të protestës studentore në kryeqytet, duke shprehur shqetësim për episodet e dhunshme dhe duke kërkuar uljen e tensioneve nga të gjitha palët.
Në një deklaratë publike, përfaqësuesit e BE-së rikujtojnë se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Një vëmendje e veçantë në reagim i kushtohet pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Delegacioni thekson se ndërhyrjet policore duhet të jenë proporcionale dhe në përputhje me të drejtat themelore të qytetarëve.
“Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi”, thuhet në deklaratën e Delegacionit të BE-së.
Përballë situatës së krijuar, Bashkimi Evropian u bën thirrje të gjitha palëve të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm dhe të angazhohen për uljen e tensioneve.
Sipas delegacionit, zgjidhja duhet të kërkohet përmes komunikimit dhe dialogut mes aktorëve të përfshirë, duke shmangur dhunën dhe duke respektuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
“Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara”, përfundon reagimi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



