Revolta/ Shkatërrohet dega e Raiffeisen Bank në Tiranë
Protesta e studentëve në Tiranë ka marrë përmasa të mëtejshme, me dëmtime të rënda në një prej degëve të Raiffeisen Bank në Rrugën e Durrësit.
Protestuesit kanë thyer xhamat e godinës dhe kanë hyrë brenda ambienteve të bankës, ku kanë shkatërruar raftet dhe kanë shpërndarë dokumentet që ndodheshin aty. Deri në këto momente, nuk ka raportime për marrjen e parave që ruhen në kasafortë.
Punonjësit e bankës janë larguar nga ambientet, ndërsa sipas informacionit paraprak, në objekt nuk ka pasur as punonjës të sigurisë private në momentin e zhvillimeve.
Ndërkohë, përplasjet në Rrugën e Durrësit vijojnë prej disa orësh. Protestuesit, mes të cilëve kryesisht studentë, u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave, kanë hedhur gurë dhe kokteje molotov drejt efektivëve të policisë. Forcat e rendit janë kundërpërgjigjur me ujë me piper dhe gaz lotsjellës, në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Protestës së kësaj të mërkure i janë bashkuar edhe studentë të Universitetit të Mjekësisë dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës, si dhe gjimnazistë, të cilët kanë bojkotuar mësimin.
Situata e sotme vjen një ditë pas përplasjeve të mëparshme, gjatë të cilave disa persona mbetën të lënduar. Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar 16 persona dhe ka nisur procedimin penal për 49 të tjerë në lidhje me ngjarjet.
Zhvillimet në kryeqytet vijojnë të mbeten të tensionuara, ndërsa dëmtimi i bankës dhe përplasjet e përsëritura me policinë shënojnë një tjetër përshkallëzim të protestës studentore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



