Rezerva e hidrokarbureve nuk do të administrohet më nga privatët
Rezerva e sigurisë së hidrokarbureve do të kalojë në administrimin e një subjekti shtetëror dhe nuk do të mbahet më nga operatorët privatë. Ndryshimi parashikohet në projektligjin e miratuar sot nga Këshilli i Ministrave, i cili sjell një riorganizim të mënyrës së ruajtjes dhe menaxhimit të rezervave.
Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, tha pas mbledhjes së qeverisë se nisma synon të ndryshojë mënyrën e administrimit të rezervës së sigurisë dhe të rrisë garancinë për ruajtjen e saj.
“Mbajtja e rezervës së sigurisë së hidrokarbureve bëhet nga një subjekt shtetëror, duke i dhënë një garanci dhe siguri mbajtjes dhe përdorimit”, deklaroi Karakaçi.
Në bazë të projektligjit parashikohet krijimi i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Hidrokarbureve, i cili do të ketë përgjegjësinë për ruajtjen dhe administrimin e rezervës.
Autoriteti i ri do të mundësojë edhe hedhjen e rezervës në treg në rast nevoje, në përputhje me përcaktimet ligjore.
Sipas ministrit Karakaçi, rezerva e sigurisë përbën një mekanizëm për garantimin e furnizimit me hidrokarbure në situata kur tregu përballet me mungesa.
Projektligji synon gjithashtu përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian lidhur me sigurinë e furnizimit me hidrokarbure.
Ndryshimi pritet të sjellë një model të ri të administrimit të rezervave strategjike, me përgjegjësinë kryesore që do t’i besohet një strukture shtetërore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



