“Rich Hotel” nën sekuestro, vijon aktivitetin normalisht në duart e familjes
Pastrimi i parave apo dështim i shtetit, sekuestrimi mbetet vetëm në letër?
Skemat e pastrimit të parave të përfituara nga trafiku i drogës përmes investimeve në biznese dhe sektorin e ndërtimit janë bërë një praktikë e njohur në vitet e fundit. Megjithatë, një rast i pazakontë ka dalë në pah në Pogradec, ku një hotel i vendosur nën sekuestro rezulton të vijojë aktivitetin normal nën administrimin e të njëjtëve pronarë.
Objekti në fjalë është “Rich Hotel”, në pronësi të familjes Bulica, për të cilin Prokuroria e Korçës vendosi masën e sekuestrimit më 26 shtator 2025. Sipas autoriteteve, dyshohet se pronarët kanë investuar të ardhura të përfituara nga aktivitete të paligjshme të trafikut të narkotikëve në Itali dhe Spanjë, duke i kanalizuar këto fonde në pasuri të ndryshme të regjistruara në emër të tyre dhe familjarëve.
Pavarësisht këtij vendimi dhe hetimeve që vijojnë, burime bëjnë të ditur se hoteli vazhdon të operojë normalisht, ndërsa në drejtim të tij mbeten Edri Bulica dhe nëna e tij, Edlira Bulica. Ky fakt ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e zbatimit të masave të sekuestrimit dhe funksionimin e mekanizmave ligjorë në raste të tilla.
Sekuestrimi i hotelit dhe pasurive të tjera të lidhura me këtë çështje erdhi pas një hetimi të zgjatur rreth tre vite nga Prokuroria e Korçës, e cila dyshon se këto asete janë krijuar nga aktivitet kriminal. Megjithatë, në praktikë, pasuritë duket se janë rikthyer nën kontrollin e familjes.
Situata bëhet edhe më e paqartë në kushtet kur nuk ka ende një vendim përfundimtar të formës së prerë nga gjykatat për konfiskimin e pronës. Kjo ngre pyetjen thelbësore: si është e mundur që një subjekt i sekuestruar të vijojë aktivitetin pa ndërprerje dhe nën të njëjtin administrim?
Në shtator 2025, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë kërkoi zyrtarisht sekuestrimin e pasurive, ndërsa vetëm tre ditë më pas Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara konfirmoi nisjen e procedurave për marrjen në administrim të tyre. Megjithatë, në realitet, zbatimi i këtij procesi mbetet i diskutueshëm, pasi hoteli nuk ka kaluar efektivisht nën administrim shtetëror.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



