Richard Grenell kërkon mbylljen e Gjykatës Speciale të Hagës
I dërguari i presidentit Trump: Dënimi i Thaçit është skandaloz, Kurti të veprojë menjëherë për shpërbërjen e Gjykatës Speciale
I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione të posaçme, Richard Grenell, ka reaguar ashpër pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Thaçi u dënua sot me 25 vite burgim për krime lufte të kryera gjatë luftës së Kosovës, ndërsa vendimi ndaj tij dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Grenell e cilëson vendimin ndaj Thaçit si “skandaloz” dhe vë në pikëpyetje procesin gjyqësor.
“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë është skandaloz”, shkruan Grenell.
Ai pretendon se gjykatat ndërkombëtare kanë marrë vendime politike dhe kritikon ashpër trupën gjykuese dhe prokurorinë, duke përdorur gjuhë të fortë ndaj tyre.
Grenell gjithashtu pretendon se këshilltarë të ish-presidentit amerikan Bill Clinton kanë deklaruar se Thaçi nuk e drejtonte luftën.
Më tej, ai kërkon ndërprerjen e financimit të këtyre gjykatave, duke argumentuar se qytetarët amerikanë po paguajnë për ndjekje penale që ai i konsideron politike.
“Të gjitha këto gjykata duhet t’u ndërpritet menjëherë financimi. Departamenti i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche duhet të veprojnë shpejt. Amerikanët po paguajnë për këto ndjekje penale politike dhe kjo duhet të marrë fund”, shkruan ai.
Në fund të reagimit, Grenell i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke kërkuar që ai të ndërmarrë hapa për shpërbërjen e Gjykatës Speciale.
“Albin Kurti duhet gjithashtu të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë gjykatë të huaj. Deputetët duhet të punojnë me Kurtin që kjo të ndodhë. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë”, shkruan Grenell.
Dhomat e Specializuara dënuan sot Hashim Thaçin me 25 vite burgim, ndërsa Kadri Veseli u dënua me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite dhe Jakup Krasniqi me 25 vite burgim. Gjykata shpalli fajtorë katër ish-krerët për disa krime lufte, ndërsa disa akuza për krime kundër njerëzimit u rrëzuan për mungesë provash të mjaftueshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



