Rinas/ Do të fusnin në Shqipëri 400 kg barna kontrabandë, arrestohen 5 shtetas kosovarë
Pesë shtetas kosovarë janë arrestuar në Rinas, pasi tentuan të fusnin në vendin tonë 400 kg barna kontrabandë të cilat dyshohet se përdoreshin për përgatitjen e lëndëve narkotike.
Sasia e medikamenteve ishte fshehur në valixhe, ndërsa rezulton se janë të blera në Jordani. Destinacioni përfundimtar i barnave duket se do të ishte Kosova dhe në Shqipëri ishin vetëm tranzit.
Gjatë kontrollit ka rezultuar se të arrestuarit kanë tentuar të fusin në territorin shqiptar edhe 300 000 euro cash të cilat u sekuestruan, bashkë me 6 celularë.
Njoftimi:
DVP Tiranë
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “Transit”.
Arrestohen në flagrancë 5 shtetas kosovarë të cilët do të futnin në RSh, barna të dyshuara të kontrabanduara, që dyshohet se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.
Sekuestrohen 1 057 840 tableta (barna) të dyshuara të kontrabanduara (me peshë 417.1 kg), 300 000 euro të cilat njëri prej të arrestuarve nuk i kishte deklaruar në PKK Rinas, si dhe 6 celularë.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në aeroportin e Rinasit, në hyrje të RSh-së, do të paraqiteshin disa shtetas të cilët në bagazhet e tyre dispononin mallra kontrabandë, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Transit”.
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit kosovarë B. Z., 45 vjeç, F. Z., 34 vjeç, A. I., 23 vjeç, A. G., 20 vjeç, A. M., 21 vjeç.
Nga kontrolli i ushtruar në 14 valixhe (bagazhet e të arrestuarve), janë konstatuar 1 057 840 tableta (barna) të dyshuara të kontrabanduara, me peshë 417.1 kg, që dyshohet se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit B. Z., shërbimet e Policisë i gjetën 300 000 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi.
Nga verifikimet e kryera dyshohet se 5 të arrestuarit do të futnin në Shqipëri dhe më pas në Kosovë, barna të blera në Jordani.
Medikamentet mjekësore, shuma 300 000 euro dhe 6 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



