Rokadë diplomatike mes Shkupit dhe Prishtinës
Denion Meidani dhe Petrit Malaj pritet të ndërrojnë postet diplomatike mes Shkupit dhe Prishtinës, ndërsa në proces është edhe lëvizja e ambasadorit shqiptar në Londër drejt OSBE-së në Vjenë.
Një riorganizim i përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë në rajon pritet të konkretizohet në ditët në vijim, me ndryshime në drejtimin e ambasadave shqiptare në Shkup dhe Prishtinë.
Në Komisionin Parlamentar për Punët e Jashtme janë parashikuar më 9 tetor dy seanca dëgjimore për ambasadorët Denion Meidani dhe Petrit Malaj. Procedura lidhet me propozimet për ndryshimin e detyrave të tyre diplomatike, duke krijuar një lloj rokade mes dy kryeqyteteve.
Denion Meidani, i cili aktualisht përfaqëson Shqipërinë në Shkup, pritet të paraqesë platformën e tij për marrjen e detyrës së ambasadorit shqiptar në Prishtinë.
Në drejtim të kundërt pritet të jetë Petrit Malaj. Pas rreth tre vitesh në krye të ambasadës shqiptare në Kosovë, ai pritet të dëgjohet nga komisioni parlamentar për platformën e tij të re si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.
Arsyet konkrete që kanë çuar në këtë riorganizim nuk janë bërë ende publike në mënyrë të plotë. Pritet që relacionet shoqëruese të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të japin më shumë informacion mbi motivet dhe objektivat institucionale të këtyre dy emërimeve.
Ndryshimi u paralajmërua që në muajin maj
Lëvizja e Denion Meidanit nga Shkupi drejt Prishtinës nuk vjen krejt papritur. Emri i tij ishte përfshirë në diskutimet për një ndryshim të mundshëm që në muajin maj, pas qëndrimit të tij publik gjatë protestave të studentëve në Shkup.
Në atë periudhë u raportua se ndaj ambasadorit shqiptar kishte pasur pakënaqësi nga përfaqësues të forcave politike në pushtet në Maqedoninë e Veriut, përfshirë VMRO-në dhe aleatin e saj shqiptar, VLEN, lidhur me rolin dhe qëndrimet e tij gjatë protestave.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i mohoi këto raportime, duke deklaruar se nuk qëndronin.
Në qëndrimin e saj zyrtar, ministria sqaroi se vendimet për emërimet dhe lëvizjet diplomatike merren në bazë të legjislacionit në fuqi dhe mbështeten në analiza profesionale e institucionale. Sipas ministrisë, synimi është përdorimi sa më efikas i burimeve njerëzore dhe përshtatja e përfaqësimit diplomatik me prioritetet e politikës së jashtme shqiptare.
Meidani, një mandat me fokus te çështjet shqiptare
Gjatë detyrës së tij në Shkup, Denion Meidani ka ndërtuar një profil diplomatik të përqendruar te marrëdhëniet me komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe te çështjet që lidhen drejtpërdrejt me të drejtat dhe interesat e shqiptarëve.
Gjatë mandatit të tij janë evidentuar angazhime në fusha të ndryshme, mes tyre avancimi i projektit One Stop Shop dhe shpërndarja e Abetares së Unifikuar.
Një tjetër çështje ku ambasadori ka pasur angazhim publik ka qenë ajo e studentëve shqiptarë dhe kërkesa që provimi i jurisprudencës të mund të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
Kjo qasje e ka vendosur ambasadën shqiptare në Shkup në një rol më të dukshëm në raport me komunitetin shqiptar dhe problematikat që lidhen me arsimin, përfaqësimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe.
Nëse rokada miratohet, Meidani do të zhvendoset në Prishtinë, duke marrë drejtimin e përfaqësimit diplomatik shqiptar në Kosovë, ndërsa Petrit Malaj do të marrë përsipër ambasadën në Shkup.
Lëvizje edhe në përfaqësimin në OSBE
Riorganizimi diplomatik nuk kufizohet vetëm te Shkupi dhe Prishtina.
Javën e kaluar, Komisioni Parlamentar për Punët e Jashtme zhvilloi dëgjesën me ambasadorin shqiptar në Londër, Uran Ferizi. Ai është propozuar për të drejtuar Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë OSBE-së në Vjenë.
Për momentin, ende nuk është bërë i ditur emri i diplomatit që do të marrë drejtimin e ambasadës shqiptare në Britaninë e Madhe.
Nëse të gjitha këto propozime marrin miratimet përkatëse, Shqipëria do të ketë një seri ndryshimesh në përfaqësimin e saj diplomatik në disa prej posteve të rëndësishme jashtë vendit, në një periudhë kur politika e jashtme shqiptare ka një fokus të shtuar te rajoni dhe organizatat ndërkombëtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



