E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rrëshqitje masive gurësh nga moti i keq në aksin Burrel-Skuraj
Lajme

Rrëshqitje masive gurësh nga moti i keq në aksin Burrel-Skuraj

Rrëshqitje të mëdha gurësh janë regjistruar në aksin nacional Burrel-Skuraj, pas reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë zonën gjatë orëve të fundit.

Situata problematike është krijuar pranë sektorit C, ku masa gurësh janë shkëputur nga shpati i malit dhe kanë përfunduar në trupin e rrugës, duke rrezikuar seriozisht qarkullimin e mjeteve. Për disa orë, njëri krah i aksit ka qenë i bllokuar, ndërsa ekipet e mirëmbajtjes kanë ndërhyrë për pastrimin dhe rikthimin e normalitetit.

Ky segment rrugor vijon të jetë ndër më problematikët, sidomos gjatë periudhave me reshje intensive, kur rrëshqitjet e gurëve bëhen të shpeshta dhe të paparashikueshme. Drejtuesit e mjeteve raportojnë vështirësi të konsiderueshme në qarkullim, për shkak të gurëve në asfalt, por edhe dëmtimeve të shumta në sipërfaqen e rrugës.

Autoritetet policore u bëjnë thirrje drejtuesve të tregojnë kujdes maksimal gjatë kalimit në këtë aks, duke theksuar se mungesa e sinjalistikës rrugore dhe e barrierave mbrojtëse e rrit ndjeshëm rrezikun për aksidente.

Një tjetër shqetësim serioz mbeten gropat në rrugë, të cilat e bëjnë edhe më të vështirë manovrimin për të shmangur gurët. Në disa segmente, një devijim i vogël nga korsia mund të rezultojë fatal, pasi rreziku për të dalë jashtë rruge dhe përfunduar në Liqenin e Shkopetit është real.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.