Rritet dhuna ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri: Shifrat alarmante të gjysmës së parë të vitit 2024

Dhuna ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri po shënon rritje shqetësuese, sipas të dhënave të fundit të raportuara për gjysmën e parë të vitit 2024. Vetëm nga janari deri në qershor, 686 gra dhe vajza janë bërë pre e dhunës në familje, një rritje e dukshme krahasuar me 655 raste të regjistruara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Tirana, Durrësi dhe Korça kryesojnë listën me numrin më të lartë të grave dhe vajzave që kanë përjetuar dhunë, ndërsa Kukësi dhe Gjirokastra mbeten ndër zonat me raportimet më të pakta. Por shifrat e ulëta nuk tregojnë se këto rajone janë më të sigurta, por shpesh mund të jenë rezultat i heshtjes ose mungesës së mbështetjes për viktimat.
Në total, nga janari deri në qershor të vitit 2024, 1,019 gra dhe vajza kanë kërkuar dhe marrë urdhër mbrojtjeje, duke treguar për një klimë të rënduar të pasigurisë në familje dhe një rritje të dukshme të dhunës ndaj tyre.
Një analizë e përgjithshme e vitit 2023 zbulon gjithashtu përmasat dramatike të kësaj plage sociale. Gjatë vitit të kaluar, 1,378 gra dhe vajza mbetën të dëmtuara nga dhuna në familje, një rritje e lehtë krahasuar me 1,371 raste të vitit 2022. Megjithatë, rritja e shifrave tregon se dhuna ndaj grave dhe vajzave po mbetet një problem i pandërprerë, me mungesë masash të forta parandaluese dhe mbështetëse.
Kjo situatë ngre pyetje serioze mbi përgjegjësinë e institucioneve dhe shoqërisë shqiptare. Çfarë po bëhet për të ndalur këtë valë të dhunës ndaj grave?
Çfarë po ndodh me përpjekjet për t’i mbrojtur ato dhe për të ndëshkuar dhunuesit?
Rritja e numrit të urdhrave të mbrojtjes tregon një rritje të vetëdijes dhe të ndërgjegjësimit të viktimave, por përmasa e dhunës nuk është ulur dhe mbetet një sfidë e vazhdueshme për Shqipërinë.
Nëse këto shifra alarmante nuk nxisin veprim të menjëhershëm dhe të vendosur nga autoritetet, perspektiva për të ardhmen e grave dhe vajzave në Shqipëri mbetet e zymtë. Shoqëria shqiptare ka nevojë për një angazhim të fortë, për të luftuar këtë problem me të gjitha mjetet ligjore dhe shoqërore në dispozicion.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



