E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rrugëtimi misterioz, si përfundoi Elbasani në duart e Kujtim Llupës
Lajme

Rrugëtimi misterioz, si përfundoi Elbasani në duart e Kujtim Llupës

Një seri transaksionesh të dyshimta dhe një ankand pa garë reale çojnë klubin historik në duart e një pronari “de facto”

AF Elbasani

Klubi i futbollit Elbasani ka përfunduar zyrtarisht në pronësi të sipërmarrësit Kujtim Llupa, duke kurorëzuar një proces që prej kohësh dukej i paracaktuar. Ajo që në dokumente u shfaq si një seri transaksionesh të ndara, në thelb rezulton të ketë qenë një rrugë e tërthortë drejt një pronësie që ekzistonte prej vitesh në praktikë.

Prej kohësh, Llupa është identifikuar si figura kryesore në drejtimin e klubit, edhe pse emri i tij mungonte në regjistrat zyrtarë. Tashmë, me regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kjo situatë është formalizuar.

Kujtim Llupa

Ankandi që ngriti dyshime

Historia nis në vitin 2023, kur Bashkia e Elbasanit vendosi të shesë 70% të aksioneve të klubit përmes një ankandi publik. Procesi u fitua nga një kompani e panjohur për publikun, “Blaed Trade”, e cila bleu aksionet për vetëm 13 milionë lekë të reja.

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja

Mungesa e garës reale dhe profili i paqartë i kompanisë fituese ngritën menjëherë pikëpyetje mbi transparencën e procedurës. Edhe pse zyrtarisht pronësia ndryshoi, në terren nuk pati asnjë ndryshim të dukshëm në drejtimin e klubit.

Transferimi final: marrëveshje “me kusht”

Më 22 korrik 2026, ndodhi lëvizja që vulosi gjithçka. “Blaed Trade” shiti të gjithë paketën prej 70% të aksioneve tek “Akademia e Futbollit Elbasan”, përmes kompanisë “TechConsult”, në pronësi të plotë të Kujtim Llupës.

Kontrata e shitjes është hartuar “me kusht” dhe përcakton një vlerë totale prej 16 milionë lekësh të reja. Pagesa është ndarë në dy faza: 12 milionë lekë brenda pesë ditëve nga firmosja dhe 4 milionë lekë të tjera brenda tre muajve.

Edhe pse marrëveshja parashikon përfundimin e plotë të pagesës për transferimin definitiv të aksioneve, fakti që ajo është depozituar në QKB bën që Llupa të figurojë tashmë si aksioner kryesor.

Një formalizim, jo një surprizë

Elbasani, një klub me histori që daton që nga viti 1929, ka kaluar nga administrimi publik në një model privat përmes një rruge që nuk ka qenë pa polemika. Transformimi në shoqëri aksionere në vitin 2021 u pa si hap drejt modernizimit, por zhvillimet e mëvonshme e kanë kthyer këtë proces në objekt debatesh.

Në analizë të ftohtë, ajo që ndodhi së fundmi nuk është një ndryshim i papritur, por një konfirmim i një realiteti që kishte kohë që funksiononte jashtë dokumenteve. Rruga e ndjekur, nga ankandi me një pjesëmarrës, tek ndërmjetësit dhe deri te transferimi final, lë ende hapësirë për pyetje mbi mënyrën se si u menaxhua një nga asetet më të rëndësishme sportive të qytetit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.