Seanca ‘maratonë’ për Saimir Tahirin, Gjykata tërhiqet për vendim. Ja ç’po ndodh
Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi nga gjykata kalimin e çështjes për gjykim, ndërsa mbrojtja e 4 të hetuarve, përfshi edhe Saimir Tahirit kërkuan pushimin e çështjes, pasi nuk ka prova.
Ndërkohë, Gjykata është tërhequr për të dhënë vendimin se çfarë do të bëhet me çështjen.
Burime thonë se, Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, ka kërkuar nga gjykata pushimin e çështjes, por nëse vendos ndryshe, kërkojnë gjykim të shkurtuar.
Seanca
Ish-ministri i Brendshem, Saimir Tahiri, është paraqitur ne Gjykatën për Krime të Rënda, ne shoqerine e avokatit te Maksim Haxhia, rreth orës 10:00 të ditës së sotme.
Shqyrtimi i hetimeve të Prokurorisë u zhvillua sot, pasi seancen e shkuar nuk ishin njoftuar 3 të hetuarit e tjerë, ish-policët Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, që ndodhen në arrati prej më shumë se një viti.
Ndërkohë punonjësit janë detyruar sot ta transportojnë dosjen me dhjetëra fashikuj me karrocë me rrota drejt seancës gjyqësore siç mund të shihni në foto.
Çfare tha avokati i Tahirit
Sipas avokatit të Tahirit, mosnjoftimi zyrtar i tre të hetuarve të tjerë nuk ishte veprim serioz i Prokurorisë për Krime të Rënda, ndërsa shtoi se ata do të kërkojnë pafajësinë në seancën paraprake.
“Është shtyrë seanca sepse organi i Prokurorisë, nëpërmjet oficerëve të Policisë Gjyqësore duhet të kishte bërë lajmërimin e të hetuarve dhe nuk e ka bërë. Gjë, që nuk është serioze për një organ të tillë, që është i mobilizuar dhe për më tepër, këtë çështje kaq serioze. Ata janë në kërkim, por ka edhe procedura lajmërimi”, tha Haxhia.

Vetë ish-ministri nuk foli pasi la sallën e gjyqit, duke lënë përfaqësuesin e tij, Maksim Haxhia, t’i përgjigjej interesit të medias. Ky i fundit, pyetjes nëse do të kërkojnë gjykim të shkurtuar, iu përgjigj se nëse zvarritja e procesit do të vazhdojë, ata mund të kërkojnë të procedohet me gjykimin e posaçëm, që në rast fajësie do t’i ulte dënimin Tahirit, ndërsa procesi gjyqësor do të mbyllej brenda 5 seancash.
“Nëse do vazhdojë kështu kalvari i zgjatjeve, do të detyrohemi ta bëjmë kërkesën me gjykim të shkurtuar. Gjithë materiali që ne kemi parë në 57 kapituj, në fashikujt e dosjeve në ngarkim të Tahirit dhe të tjerëve nuk ka asnjë provë që të implikojë Tahirin, që të çojë në ngritjen dhe bazueshmërinë e akuzave, për të cilat ai është sjellë për gjykim. Nuk ka letërporosi, ishte abuzim dhe keqdashje në çështjen ‘Tahiri’ nga analistë të qëllimshëm dhe të pozicionuar. Nuk ka 8, por 2 letërporosi që nuk kanë të bëjnë me akuzat”, përfundoi Maksim Haxhia.
Prokuroria për Krime të Rënda hetoi rreth 16 muaj për Tahirin, ndërsa vendosi ta marrë të pandehur për akuzën e “Trafikimit të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
“Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë”. Referuar hetimeve, ato bazohen në përgjigjet e letërporosive të ardhura nga Italia, Mali i Zi dhe Greqia, si dhe disa përgjime.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



