E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sekondat e fundit që e kthyen sallën e Apelit në skenë krimi
Flash

Sekondat e fundit që e kthyen sallën e Apelit në skenë krimi

Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar më 9 tetor masën e sigurisë “arrest me burg” për Elvis Shkambin, autorin e dyshuar të vrasjes së gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja, si dhe për dy persona të tjerë, përfshirë xhaxhain e tij, Gjon Shkambi.

Dosja hetimore zbardh dinamikën e plotë të ngjarjes së rëndë që ndodhi në sallën nr. 3 të Gjykatës së Apelit në Tiranë, gjatë shpalljes së një vendimi gjyqësor. Dëshmia e sekretares gjyqësore, e cila ishte dëshmitare okularë e vrasjes, përshkruan momentet e fundit të jetës së gjyqtarit dhe çastet e tmerrit brenda sallës së gjyqit.

Momentet para të shtënave

Sipas sekretares, gjyqtari Kalaja ka hapur seancën rreth orës 15:35 – 15:40, duke thirrur palët në proces. Të pranishëm ishin paditësi Ragip Kurtaj dhe djali i tij, si dhe pala e paditur, Gjon Shkambi dhe nipi i tij Elvis Shkambi. Pas identifikimit të palëve, gjyqtari shpalli vendimin, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë dhe informoi për afatet e rekursit në Gjykatën e Lartë.

Pas shpalljes së vendimit, paditësi dhe djali i tij u larguan nga salla, ndërsa gjyqtari u ngrit për të shkuar drejt Dhomës së Këshillimit.

Vrasja brenda sallës së gjyqit

Në atë moment, Elvis Shkambi është afruar para podiumit dhe ka qëlluar me pistoletë drejt gjyqtarit. Sekretarja ka përshkruar se është ngritur në këmbë, por i riu i ka thënë se “nuk ka punë me të” dhe më pas ka qëlluar përsëri drejt gjyqtarit.

“U fsheha nën tavolinë. Dëgjova gjyqtarin që rënkonte. U afrua një roje gjykate dhe pyeti se çfarë kishte ndodhur. Thirra që të njoftonin ambulancën. Më pas bashkë me një kolege i dhamë ndihmën e parë me një peshqir, duke i shtypur plagën,” thuhet në dëshminë e saj.

Armë pa leje dhe fishekë në makinë

Pas vrasjes, Elvis Shkambi ka dorëzuar armën tek një nëpunës i gjykatës, i cili u përpoq të kërkonte ndihmë. Kur mbërritën forcat “Shqiponja”, ai u shpjegoi se ishte punonjës gjykate dhe kishte armën që i ishte dorëzuar nga autori.

Në automjetin e xhaxhait të autorit, Gjon Shkambi, i parkuar pranë Xhamisë së Namazgjasë, policia gjeti 31 fishekë, të cilët dyshohet se janë fishekë manovre, kalibër 9 mm. Ndërkohë, sende të tjera të dyshuara të paligjshme janë sekuestruar edhe në banesën e autorit në Shkodër.

Deklaratat e autorit: “Nuk doja të përfundonte kështu”

Gjatë marrjes në pyetje, Elvis Shkambi, 30 vjeç, ka pranuar autorësinë e vrasjes, duke mohuar përfshirjen e xhaxhait në këtë akt. Ai ka deklaruar se kishte ndjekur procesin gjyqësor për 1 vit e 8 muaj dhe që kishte armën me vete në çdo seancë.

“Kam qenë i tronditur nga vendimi dhe nuk e përballova dot padrejtësinë. E nxora armën që e kisha prej 10 vitesh, por nuk e kisha përdorur kurrë,” ka deklaruar ai. Sipas tij, plagosja e paditësit dhe djalit të tij ka qenë aksidentale.

“Nuk kam dashur të qëlloj Ragip Kurtajn dhe djalin e tij. Nëse doja, i kisha vrarë në Shkodër. Nuk e kam pasur në plan të ndodhte kjo. Jam penduar për gjithçka që ndodhi,” mësohet të ketë thënë ai.

Pas ngjarjes, i ka dorëzuar çelësat e makinës xhaxhait dhe i ka thënë: “E vrava gjyqtarin.” Xhaxhai, i shokuar, ka reaguar: “Na fike.”

Në pritje të vijimit të hetimeve, ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë në ambientet e institucioneve të drejtësisë në vend.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.